• |
ide | kryesore

Ambasadori britanik: Takimi i 29 prillit nuk do të ndikojë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë

Lajme, Planet



Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 29 prill, kësaj radhe në fokus ka Kosovën dhe Serbinë. Ky takim i thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti Francez, Emanuel Macron, pritet të jetë ndryshe.

Edhe pse në opinion është krijuar përshtypja se nga ky takim do të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kjo sipas ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, nuk qëndron.

Ambasadori O’Connell ka deklaruar për Nobel Press se nga takimi i thirrur nga Merkel dhe Macron nuk pret ndonjë marrëveshje.

”Nuk presim një marrëveshje më 29 prill, le të jemi preciz. Kjo ka qenë iniciativë e qeverive të Francës dhe të Gjermanisë dhe si e tillë është shumë e mirëseardhur. Duhet më shumë fokus, vëmendje në këtë rajon. Gjithsesi, Britania do të mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e Kosovës”.

Edhe pse organizatorë të këtij takimi janë Franca dhe Gjermania, O’Connell thotë se vendi të cilin ai përfaqëson vazhdon të jetë plotësisht i përfshirë në këtë proces.

”Në vazhdojmë të jemi plotësisht të përfshirë në këtë proces dhe vazhdojmë të procedojmë bashkë me gjermanët dhe francezët. Por çdo iniciativë si ajo e Amerikës dhe Donalld Trump, si kjo darkë gjermano-franceze është shumë e mirëseardhur, ku rajoni do të ketë më shumë vëmendjen ndërkombëtare”, ka deklaruar O’Connell.

Për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruairí O’Conell ky takim do të ndihmoj në shtyrjen e procesit tutje për Kosovën dhe Serbinë, por kjo nuk duhet të kuptohet si ndryshim apo devijim i strategjisë që kanë këto shtete ndaj këtyre të fundit.

”Duhet të kuptohet që kjo do të jetë si një darkë për të shtyrë procesin. Pra nuk duhet të kuptohet si diçka tjetër ose si një devijim i strategjisë. Është diçka shumë e mirëseardhur për të inkurajuar progresin në mënyrë që mund të na sjell deri në marrëveshjen përfundimtare. Marrëveshje kjo që mund të zbatohet dhe të shtrijë stabilitetin në rajon”, ka deklaruar ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *