• |
ide | kryesore

Apeli i Krimeve të Rënda shtyn për herë të shtatë gjyqin për grupin e Shullazit

Lajme, Të fundit



Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur të shtyjë për herë të shtatë gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë,  Gilmando Danit, Blerim Shullazit, Endrit Qyqjas dhe Endrit Zelës. Shkak për vazhdimin e këtij ngërçi procedurial është bërë mosparaqitja e avokatit të të pandehurit Dani, Denion Bogdanit, si edhe kërkesa për përjashtimin e kryesueses së treshes gjykuese, Saida Dollanit, nga ana e subjektit tjetër në gjykim, Blerim Shullazit. Ky i fundit e shpjegoi refuzimin e tij për vijimësinë e gjykimit, duke u shprehur se nën kryesinë e Dollanit ishte gjykuar më herët edhe në mosprani të avokatit.

Sakaq, një pjesë e trupës gjykuese është ndryshuar, për shkak të shkarkimit nga detyra të kreut të Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petkut, si pasojë e moskalimit të procesit të vetting-ut.  Për çdo riformartim të trupës së gjykimit, procesi rifillon nga e para, ndërsa shfuqizohen vendimet e marra në seancat e mëparshme.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 55 vjet burg në total grupin “Shullazi”. Emiljano Shullazi, i cilësuar nga Prokuroria si drejtuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal, do të vuajë dënimin me 14 vite burg, ndërsa dënimet për anëtarët e tjerë të grupit përshkallëzohen në rend zbritës. Kështu, Gilmando Dani u dënua me 12 vjet burg, ndërsa Endri Qyqa dhe Endri Zela do të shlyejnë barabar dënimin për 10 vjet burg. Ndërsa, Blerim Shullazi u dënua me vetëm 9 vjet burg. Megjithatë, ky vendim i instancës së Krimeve të Rënda është apeluar.

Sipas organit të akuzës, banda “Shullazi” në formën e  një grupi të strukturuar kriminal, kanë shantazhuar biznesmenin Ylvi Beqjan duke i marrë shumën e konsiderueshme të 550 mijë eurove dhe duke përfituar 30 % të ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Gjithashtu, kanë kanosur edhe sipërmarrrësin Jani Zakon, me qëllim marrjen e një hapësire parkimi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *