• |
ide | kryesore

Bindja Demokratike zyrtarisht parti/ Patozi: Vetëm ide, jo pronë apo biznes

Lajme, Të fundit



Pak pas regjistrimit të partisë ‘Bindja Demokratike’ në Gjykatë, reagon edhe kryetari i saj, ish-deputeti demokrat Astrit Patozi.

Në “Facebook”, Patozi e cilëson partinë vetëm ide, jo pronë apo biznes. Në një shkrim të gjatë, Patozi sqaron edhe arsyet e shfaqjes së kësaj partie të re në skenën politike.

“Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët.
Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri.” – shkruan ai.

Postimi i plotë i Astrit Patozit

PËRSE VJEN BINDJA DEMOKRATIKE?

Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri.
Ajo ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik.
Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri.
Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët.
Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri.

Ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve, kauza jonë

Sistemi ynë politik bazohet tek garancia që dy rivalët kryesorë në vend i kanë dhënë njëri tjetrit, për të nënshtruar çdo ide apo frymë demokratike brenda kampeve të tyre. Ilustrimi më i mirë për këtë ishte marrëveshja okulte e dy vjetëve më parë mes kryetarëve të dy partive të mëdha.
Shqiptarët sot janë të shtrënguar më shumë se çdo popull tjetër në botën demokratike të votojnë vetëm një person, i cili pasi zgjidhet si kryeministër, na bëhet njëkohësisht president, kryetar parlamenti, kyeprokuror, kryegjykatës, kryetar partie dhe diktues ndaj të gjitha pushteteve të tjera të pavarura.
Republika e Shqipërisë de fakto nuk është as demokratike dhe as parlamentare, sepse si e tillë ekziston vetëm në letër. Ne gjendemi sot nën një rregjim atipik dhe hibrid, i cili është sistemi i partitokracisë, i prodhuar kryesisht nga nevoja që dy partitë e mëdha kanë pasur për të garantuar pushtetin brenda tyre.
Bindja Demokratike është një alternativë e re kundër këtij regjimi dhe ne do të bëjmë gjithçka mundemi që ai të rrëzohet. Gjithkush do të ketë kohën dhe mundësinë që të na vlerësojë në të ardhmen për qëndrimet dhe aktet tona.
Bazamenti ynë politik është fuqia që do t’i japim votës së çdo qytetari, i cili do të bëhet pjesë e rrugëtimit tonë.
Bindja Demokratike do të qeveriset si një parti e lirë që të shërbejë si model për mënyrë se si partitë duhet të qeverisin Shqipërinë.
Kundërshtarët e Bindjes Demokratike janë përfituesit më të mëdhenj nga ky system i kalbur politik, në krye të cilëve qëndron sot kryeministri Edi Rama. Nuk është rastësi që ata na janë vërsulur në shpinë ende ende pa lindur, por kjo nuk na shqetëson. Përkundrazi, na motivon më shumë dhe na tregon se jemi në rrugën e duhur.
Ne mendojmë se fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t’i jepet rasti. Që do të thotë se ajo nuk e sulmon atë, por thjesht e lakmon. Ajo nuk do ta shembë atë model, por do që ta përvetësojë. Ajo nuk do të ndryshojë Shqipërinë, por do të ndryshojë vetëm pushtetin në këtë vend. Ndërsa ne jemi kategorikisht kundër kësaj.
Sepse ne besojmë se Shqipëria qeveriset, ashtu siç administrohet partia. Nëse nuk bën zgjedhje të lira në parti, nuk mund të kërkosh zgjedhje të lira në Shqipëri. Nëse nuk lufton korrupsionin në parti, nuk mund ta luftosh atë në Shqipëri. Nësë nuk respekton një sistem vlerash në parti, nuk mund të respektosh elitat në Shqipëri.
Për këto arsye, Bindja Demokratike lind si një forcë e vendosur për të ndryshuar, jo vetëm pushtetin, por dhe mentalitetin e të drejtuarit të Shqipërisë.
Ne e dimë se do t’i kemi në shpinë të gjithë të bindurit e partive, që mbajnë në këmbë këtë sistem të degraduar, sepse është frika e tyre për prishjen e statuskuosë. Ne urojmë që shumë shpejt edhe ata të çlirohen nga kjo skllavopronari moderne e politikës dhe jemi të gatshëm t’i ndihmojnë, pavarësisht sharjeve dhe akuzave të tyre, një pjesë të të cilave i kemi marrë paradhënie. Por jemi të sigurt që për të arritur deri atje ata kanë nevojë për një bindje demokratike, të cilën nuk e kanë sot.

Tre prioritetet e Bindjes Demokratike

Bindja Demokratike i ka vendosur vetes këto objektiva afatshkurtëra në rrugëtimin e saj politik:
E para, vendosmëria për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sistemi politik shqiptar duhet të çlirohet nga kontrolli i dy partive të mëdha dhe nga avantazhi i frikshëm i qeverisë, sa herë shkohet për të votuar.
Në këtë pikë ne mbështesim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për depolitizim të komisioneve zgjedhore dhe avancimin drejt numurimit elektronik të votave, si një mënyrë për të lehtësuar procesin nga ushtria e trafikantëve dhe pagesat e zeza, të cilat e ndryshojnë rezultatin edhe gjatë administrimit të zgjedhjeve.
Ne jemi, gjithashtu, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në një periudhë më aftgjatë, ku kandidatët të kenë mundësi të marrin mbështetje popullore dhe jo vetëm mbështetje nga kryetari i partisë. Ligji i dekriminalizimit dhe vetingu i politikanëve është një premisë pozitive për t’i mbajtur larg elementët kriminalë nga zgjedhjet dhe kjo duhet të na inkurajojë për t’i lënë më shumë hapësira shqiptarëve të zgjedhim një listë të filtruar nga politika.
Së dyti, Bindja Demokratike identifikon si problem të madh për Shqipërinë polarizimin ekonomik dhe krijimin e një hendeku të thellë mes një shtrese të varfër dhe një grupi njerëzish të pasuruar në mënyrë abuzive.
Bindja jonë është se polarizmi ekstrem ekonomik i Shqipërisë është pasojë e korrupsionit në qeverisje. Por po ashtu ne jemi të bindur që oligarkët më të mëdhenj në vend janë politikanët më të rëndësishëm.
Korrupsioni ka prodhuar një Shqipëri që ka 10 për qind milionerë dhe 90 për qind mbijetues. Kjo do të thotë se pa një betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror vendi nuk mund të ketë kurrë barazi sociale.
Së treti, vendi ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në ofertat e oligarkëve, por në një vision të qëndrueshëm, që bazohet tek pasuritë kombëtare dhe mundësitë reale të shqiptarëve për t’i bërë ato efikase. Vendi duhet të ketë prioritete të zhvillimit kombëtar, që nuk duhet të ndryshojnë sipas orekseve të qeverive të kapura nga korrupsioni.
Turizmi dhe bujqësia duhet të vihen në krye të projekteve për zhvillimin e vendit, ndërsa cilësia e arsimit duhet të trajtohet si emergjencë kombëtare.
Shqipëria duhet të përgatitet për epokën digjitale të zhvillimit, duke e orientuar brezin e ri drejt një kualifikimi cilësor në këto fusha.
Shqipëria ka nevojë për një sistem taksash të thjeshtë, të kuptueshëm dhe të llogaritshëm nga çdo qytetar dhe për një administratë, që shërben dhe nuk grabit.
Bindja Demokratike është e shqetësuar për ikjet masive të shqiptarëve dhe për zbazjen e popullsisë nga keqqeverisja. Ajo do të mbështesë projekte konkrete për të stimuluar rritjen demografike të Shqipërisë.
Sipas nesh, frenimi i kjes së të rinjve nga vendi mund të ndodhë vetëm kur çdo familjeje të re t’i garantohet mundësia e pasjes së një shtëpie, që gjithkush ta ndjejë veten pjesë të atdheut.

Perëndimi është Siguria jonë Kombëtare

Bindja Demokratike konsideron si jetike ruajtjen e aleancës së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Ajo e vlerëson si arritje historike antarësimin në NATO dhe do të angazhohet fort që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian.
Ne mendojmë se çdo parti politike që cënon orientimin perëndimor të Shqipërisë, është duke cënuar njëkohësisht sigurinë dhe vënë pikëpyetje ekzistencën tonë kombëtare.
Orientimi perëndimor i Shqipërisë, është shtylla kryesore për sigurinë tonë kombëtare. Në këtë kuadër, ne e shikojmë si jetike që i gjithë faktori shqiptar në Ballkan të orinetohet drejt Perëndimit, si e vetmja strategji që na bën bashkë, na bën më të fortë dhe na jep më shumë identitet.

Liria është fuqia e zhvillimit të shoqërisë

Bindja Demokratike është shtëpi e hapur lirisë. Në të është i mirëpritur gjithkush që gjykon se Shqipëria duhet të çlirohet nga zgjedha e partitokracisë dhe duhet të dalë nga kjo spirale krizash të vazhdueshme, vetëm pasi njerëzit të kenë mundësi të zgjidhen dhe të zgjedhin lirisht.
Bindja e konsideron shtypin si një aleat të çmuar në betejën e saj për ndryshimin e rendit të gjërave në Shqipëri, pavarësisht linjës politike apo editoriale të çdo aktori mediatik. Pozicioni që ato do të mbajnë në raport me Bindjen Demokratike nuk do ta ndryshojë asnjëherë konsideratën tonë.
Ne nuk na lidh asgjë me ata që e konsiderojnë shtypin “kazan”, por as me të tjerët që paguajnë para të zeza korrupsioni për të blerë dhe keqpërdorur mediat.

Bindja Demokratike nuk ka armiq, por vetëm kundërshtarë. Ajo nuk ka miq, por vetëm partnerë. Bindja nuk ka kushurinj, shokë dhe familjarë, sepse ka zgjedhur që në fillim të mbrojë dhe përfaqësojë interesin publik.

Zoti e ndihmoftë dhe ia lehtësoftë rrugën Bindjes Demokratike!



13 Comments

  1. Une mendova mos ia vinin emrin “Partia e Idealeve te Dhjetorit”!!! Ose shukrt “PIDH”!
    Se mund te kishte me shume votues, si ide…. Po edhe keshtu mire eshte

  2. Fryma, Bindja, etj. Turp te keni! Late PD, se aty eshte Luli, Berisha etj. Ju duket normale? Te rrinit aty dhe te kerkonit fitoren tuaj brenda partise qe e krijuat dhe rritet vete. Po i sherbeni rilindjes komuniste hajdute ne kete menyre. Nuk ma thote zemra qe t’ju uroj fat, edhe pse kam rezervat e mia pafund per Lul trapin dhe Sali diktatorin. PD nuk eshte e atyre, por e jona qe e duam pa interes. Ma humbe respektin qe me kishe krijuar me penen tende Astrit. Nuk ben dot vota me njerez si Kollozi, sponsori yt financiar, pervers dhe super super super hajdut. Klm.

  3. Nuk kam asgje kundra pasi ishte dicka qe po ziente ne kampin e PD-se. Luli nuk levizte nga e tija edhe pse kishte deshtuar 2 here. Normale eshte, por koha qe u gjend e papershtatshme! Thjesh sa zgjat agonine e kesaj qeverie, asgje me teper. Me shume stres per popullin tone pellazg ne ditet qe do vine, me shume pune per gazetaret.

    Po te jene me mend socialistet, te krijojne dhe ata nje parti, thjesht per efekt balance. 😛

  4. patosin si njeri negativ nuk merr asnje vote dhe ne qytetin e tij te lindjes Kavaje e njohin te gjithe se cfare burri karerist eshte i cili e shfrytezoi partine demokratke per 28 vite tani qe eshte mesuar me pushtet e vjedhie kerkon te krijoj nje partoi fasade nen mbikqyrien e edi rames . turp per keto karreriarite qe ka patur p.d. tani do e shohe se sa do i vleje lekura patosit

  5. ter qelbsirat te perbashkuara
    me nje deshir e nje qellim
    qe ter mutin e stalinit ta hajn.deri ne amshim.
    nga lufta vetem ata largohen
    qe nuk thithin kar te frrokut roshit,vuqiq e putin.
    nga dherja e lninit ,berija,mugosha e popoviq lindet
    e perfunduat ne te frrokur,roshit,artur bushit,rrahman rrahjes mut
    nuk ka kush qe ju mbush barkun si edvinit me mut.
    perparaaaa ne qenef negjmije ku keni mut ze thare,te njom taze etj partie.

  6. Alfons Ballshi (Astrit PAtozi) eshte pseudonimi i sigurimt te shtetit te keti turi shtypurit. Deri dje ishte nenkryetar i PD dhe i ishte ngjitur Saliut si muti pas kepuces. Sot del e ben moralistin a thua se mileti jane budallenje e qorra

  7. sa keq me vjen per shume komentues qe nuk dine te japin nje mendim per te qene, patozi eshte ne te drejten e tij per te krijuar parti sepse lulka e hoqi nda pd pa te drejte ose nga frika e konkurences keshtu hoqi edhe jozefinen dhe te tjere dhe ketu duhet pare rudhja e pd jo cfare thote lulka se u vodhen zgjedhjet,po pd pse i iken 250000 vota shume thjesht ata qe iken kishin pasuesit e tyre dhe shtoj kesaj edhe paaftesine shembullore te lulkes dhe pd si duken bathet nuk do kete me,keshtu mos shani patozin por vraponi te ai

  8. Alleanca Demokratike, Partia Demokrate e Re, Frima Re Demokratike dhe tashme Bindja Demokratike. Sillu perdridhu dhe po aty sillen. Partia Demokratike po i terheq te gjithe ne fund te gremines. Nje emer me vehte i ri vetem dobi do i bejshin alternativave te reja …..

  9. E vetmja bindje apo ide e Patozit , është të iki Basha si lider i zgjedhur me shumicë dërmuese si lider i PD e të vijë ai .
    Demokraci vërtet do të thotë që njerëzit të kenë mendime të lira e të debatojnë lirisht, por nëse njerëzit futen në një parti politike, janë të detyruar të zbatojnë vendimin e shumicës.
    Ky është një parim demokratik po aq i vlefshëm sa edhe liria e mendimit.
    Respektimi i mendimit të shumicës e dallon demokracinë nga anarkizmi.
    Mendoni se çfarë do të ndodhte në një sistem demokratik, sikur mijra e qindra mijra antarë të një partie, të ndaheshin në grupe të vogla “kundërshtarësh politikë” siç thotë Patozi.
    Është e provuar tashmë me fakte se në PD, të tilla “parti” karrieristësh të sëmurë, kanë dështuar plotësisht.
    Nuk është aspak e vërtetë që Patozi e konsideron PD si kundërshtar politik e jo si armik, ashtu siç thotë.

    Qëkurse u hoq nga kryesia e kësaj partie, ai konsideronte armik PD e luante si dorë të dytë “kundërshtarin politik” të PS. Pra nuk janë bindjet demokratike që e udhëheqin Patosin , po tek ai kanë dominuar bindjet egoistike personale. Asqë është dëgjuar ndonjëherë Basha qoftë edhe ta përmendë Patozin si kundërshtar apo armik. Bile e pat ftuar ate që të vinte kandidaturën për lider të PD. Por Patozi, i ndërgjegjshëm se nuk konkuronte dot për merita me Bashën, doli me kushtin qesharak që Basha të jepte dorheqjen si lider i zgjedhur e në PD të fitonte ai meqë ka qenë nënkryetar i kësaj partie.
    Le të na thotë Patozi se për çfarë merita të tij e konsideron veten një lider më të aftë se Basha.
    Sa ishte nënkryetar i PD, nuk ja ndjemë as zërin e jo më punën.
    E si mund të “frymëzojë” ai shqiptarët duke folur në emër të tyre se e mbështesin ate kur nuk është në gjendje të mbledhë as edhe njëqind prej tyre që ti vijnë pas ?
    Kush e ka penguar Patozin që të shkonte në qytete e tju bënte thirrje shqiptarëve që të protestojnë kundër qeverisë së korruptuar të Ramës, siç bëri Basha ?
    Vetë fakti se Patozi vraponte të qaravitej në mediat pranë Ramës kundër PD, e kanë djegur ate përfundimisht si një politikan me bindje demokratike dhe e kanë demaskuar si një shtojcë të fraksionit “rilindje” të krimit në PS.

  10. “Vetëm ide, jo pronë e biznes”
    Pra Patozi paska ide komuniste.
    Rikthimin e të gjithë pronave tëk shteti diktatorial e rikthimin e kooperativave bujqësore

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *