• |
ide | kryesore

Vëzhguesit ndërkombëtar flasin për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Planet



Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatuan se dita e zgjedhjeve presidenciale dje në Maqedoninë e Veriut ishte e qetë, transparente dhe në përgjithësi e zhvilluar në mënyrë pozitive. Por ata vërejtën nga ana tjetër, disa probleme teknike, të cilat nuk i theksuan aq sa për t’i dhënë një imazh jo të mirë procesit.

Vëzhguesit vunë në dukje liritë e kandidatëve dhe të votuesve dhe punën kryesisht të mirë të medias në fushatë. Ata lanë të kuptohej se zgjedhjet ishin të administruara mirë.

Shefja e Misionit të ODIHR-it, Korien Jonker tha se procesi tregoi se sa shumë mund të arrihet kur ekziston vullneti i vërtetë politik.

“Është mirë të shikohet atmosfera e qetë në këto zgjedhje dhe procesi në përgjithësi që Maqedonia e Veriut e realizoi në zgjedhje”, tha ajo.

Ndërkohë, shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-së, Sereine Mauborgne, tha se mosfunksionimi teknik i sistemit të teknologjisë informatike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve paraqet një çështje për sigurinë e teknologjisë informatike, ndërsa nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të lirë të fushatës nga kandidatët.

Vëzhguesit vlerësojnë se transmetuesi publik u ka siguruar mbulim të paanshëm kandidatëve dhe media përgjithësisht ka paraqitur një shumëllojshmëri të informatave për konkurentët për president.

Ndërkohë, pati vërejtje për përjashtimin automatik të votuesve në bazë të vlefshmërisë së dokumenteve të tyre gjë që pengoi ushtrimin e të drejtës së votës për 11 mijë qytetarë. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të mbikëqyrin nga afër edhe balotazhin e 5 majit./VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *