• |
ide | kryesore

Emocioni i një jo të krishteri për flakët mbi Notre Dame

Ide



Njerëzit këndonin, luteshin dhe qanin, ose thjesht ngrinë në një mosbesim total, ndërsa flakët përfshinë katedralen “e tyre” të Notre Dame, objekt i kujtesës së tyre individuale dhe kolektive. Emocionet e atyre që qenë dëshmitarë të zjarrit në Paris më 15 dhe 16 prill janë bërë me jehonë në të gjithë botën. Le të shpresojmë që ky shpërthim global i ndjeshmërisë në përgjigje të një tragjedie do të ketë efekte pozitive të qëndrueshme, në Francë dhe më gjerë.

Që nga dy sulmet terroriste që përgjakën kryeqytetin francez në vitin 2015 nuk kisha marrë kaq shumë mesazhe keqardhjeje (dhe kërkesa për intervista), siç ndodhi pasi ra zjarri. Ato vinin nga Australia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe shumë vende të tjera.

Zjarri nxiti gjithashtu një fluks të menjëhershëm dhe bujar kontributesh financiare për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales, jo vetëm nga Franca, ku qindra miliona euro u premtuan brenda vetëm një dite, por nga e gjithë bota. Në Amerikë veçanti, donatorët e pasur reaguan shpejt në mbështetje të katedrales që i kishte rënë kambanave të saj për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Disa mund të tronditen disi nga një shpërthim i tillë emocionesh pozitive, sikur fati i një ndërtese 800 vjeçare të ishte më i rëndësishëm sesa mbijetesa e planetit, jetët e miliona refugjatëve, apo gjendja e të varfërve në botë. Ne duket se e kemi më të lehtë të kujdesemi për ruajtjen e trashëgimisë të së kaluarës sesa të shpëtojmë të ardhmen tonë. Ne më mirë mbrojmë ndërtesat historike sesa qeniet njerëzore.

E megjithatë, i kuptoj dhe i ndaj emocionet e shkaktuara nga zjarri, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë për lënien e këtij monumenti të paprekur për brezat e ardhshëm. Notre Dame ishte ndërtesë që njihej nga gjyshërit e mi dhe dua që “ajo” të vazhdojë të jetë kështu edhe për nipërit e mbesat e mi. Nëse detyra jonë kolektive si qenie njerëzore është të riparojmë dhe përmirësojmë mjedisin tonë sa më shumë që mundemi në kohën tonë shumë të shkurtër në këtë planet, atëherë fati i katedrales është një përparësi natyrore. Dua që historia ta shohë brezin tim si ai që bëri gjithçka ishte e mundur për të rindërtuar Notre Dame, ose ndoshta e bëri atë akoma edhe më të bukur, si një simbol universal i paqes dhe bukurisë.

Unë nuk jam i krishterë. Por, si një parisien, një francez dhe një europian, për të mos përmendur si një qytetar të botës, më pushtoi një lloj ndjenje e thellë humbjeje kur filloi zjarri, ndërsa ekspertët druheshin se e gjithë katedralja mund të shembej. Duhej të nxitoja të shikoja edhe një herë ndërtesën për të ruajtur një kujtim të saj, para se ajo të shndërrohej në një fushë rrënojash dhe një det hiri. Ndjeva se i detyrohesha kaq Notre Dame-it, si një pjesë integrale e historisë e madje edhe jetës sime.

Miliona njerëz para meje mund të kenë thënë të njëjtën gjë. Napoleoni u kurorëzua perandor në Notre Dame në dhjetor 1804. Një brez më vonë, gjiganti francez Viktor Hygo e përjetësoi katedralen në romanin e tij “Kurrizoja i Notre Dame”, i cili më vonë u bë filma dhe muzikale tepërt të suksesshme. Dhe në gusht të vitit 1944, Charles De Gaulle mori pjesë në një meshë atje për të festuar çlirimin e Parisit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur qyteti nuk ishte pacifikuar ende plotësisht.

Por pse miliona njerëz në të gjithë botën ndajnë të njëjtat emocione si unë? Bukuria e katedrales sigurisht që është pjesë e arsyes, ashtu si dhe natyra spektakolare e zjarrit që për pak e shkatërroi plotësisht atë. Një mikesha ime, ballkoni i të cilës është me pamje nga Notre Dame në bregun e majtë të Senës, më përshkroi atë që ajo mund ta quante vetëm “magjepsje me horror”. Nuk po digjej Parisi, por zemra e tij emocionale po. Për më tepër, ky zjarr gjigant po transmetohej drejtpërdrejtë në lajmet kryesore. Monumenti më i vizituar në Europë, sipas autoriteteve franceze, ishte gati të shembej. Ishte pikërisht ky element familjariteti që ndihmoi në gjithë atë ndjeshmëri universale për fatin e katedrales.

Kjo më kujtoi një debat që pata dhjetë vjet më parë me filozofen amerikane Martha Nussbaum, e cila përshkroi një eksperiment me minj. Ajo tha vetëm kur një mi që ata “e njihnin” i nënshtrohej dhimbjes, minjtë e tjerë tregonin interes për vuajtjen e atij miu. Pjesën tjetër të kohës, ata ishin totalisht indiferentë.

Kjo ndjeshmëri e ka shndërruar diçka që nisi si një film horror në një film që të krijon një ndjesi të mirë, të paktën tani për tani. Presidenti francez Emmanuel Macron e ndjeu emocionin e gjerë dhe e përdori atë me mjeshtëri duke bërë thirrje për unitet kombëtar pas shuarjes së zjarrit. Gjatë muajve të fundit, Franca ka përjetuar demonstrata dhe shpërthime dhune çdo fundjavë dhe vendi kurrë nuk ka qenë kaq i polarizuar kohët e fundit. Por Macron papritur kishte një argument të fuqishëm në dispozicion të tij: një tragjedi e tillë bën thirrje për kapërcim të ndarjeve të vogla, bujari dhe përgjegjësi kolektive.

Emocionet pozitive që lindin pas një ngjarje të tillë zakonisht janë të forta dhe jetëshkurtër dhe këtë herë ndoshta nuk do të jetë ndryshe. Vërtetë, drama e Notre Dame dhe përgjigja e aftë e Macron ndaj saj, i kanë dhënë presidentit francez një pushim tepër të nevojshëm para zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Europian. Por, siç thoshte ish-kryeministri britanik Harold Wilson, një javë është kohë shumë e gjatë në politikë. Dhe zgjedhjet europiane janë ende një muaj larg.

/ Project Syndicate



1 Comment

  1. Interesante kjo qasja e lapsit qe ne shqiperi advokon protestat e dhunshme, nderkohe qe sjell artikuj nga mediat boterore te estabilishmentit , si project syndicate e sorosit(hapur pro makronit). Pavaresisht kontekstit ekziston nje unitet ne fryme midis protestuesve ketu dhe atyre ne europe. Thelbi i te gjithave eshte NDRYSHIMI I SISTEMIT. Edhe atje flasin per korrupsion, oligarki (crony capitalism, special interests) dhe mbi te gjitha per suprimim te demokracise. Nje sygjerim modest do te ishte sjellja e artikujve nga media alternative si “spiked-online”, qe bashkon intelektualizmin e project syndicate,me inspirimin racional dhe aspak ideologjik anti- estabilishment.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *