• |
ide | kryesore

Samiti i Vladivostokut/ Dhurata e pazakontë e Kim Jong-un për Putinin

Planet



Lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong-un i ka dhuruar presidentit rus Vladimir Putin, një shpatë tradicionale koreane, në shenjë falenderimi për marrëdheniet e kënaqshme bilaterale, pas takimit të sotëm në qytetin portual të Vladivostok-ut. “Kjo shpatë, simbolizon forcën, shpirtin tim dhe të popullit tim”, i është drejtuar diktatori kreut të shtetit rus.

Në këtë takim të parë midis dy homologëve, Putin deklaroi se do të përkrahë përpjekjet e Koresë së Veriut për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë jam i bindur  se vizita në Rusi do të ndihmojë në zgjidhjen e situatës në gadishullin Korean”, u shpreh kreu i shtetit rus duke premtuar gatishmërinë për të kontribuar në nisjen e bisedimeve të mbetura pezull me SHBA-të lidhur me procesin e denuklerarizimin, që duhet të shoqërohet nga ana tjetër me lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut.

Ndërsa, në deklaratën e përbashkët për shtyp, Kim Jong-un, vuri theksin tek serioziteti i situatës në gadishullin Korean, që duhet të marrë vëmendjen e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. “Shpresoj që bisedimet tona të bëhen një ngjarje e rëndësishme për të vlerësuar së bashku situatën dhe për të shkëmbyer pikëpamje.”-  tha udhëheqësi i Koresë së Veriut.

Për hir të një fqinjësie të mirë dhe në funksion të përmbushjes së interesave strategjike reciproke, Rusia është i vetmi aktor global që gëzon një marrëdhënie miqësore me Korenë e Veriut. Madje, edhe vetë Kina, të cilën e përbashkon jo vetëm afria gjeografike, por edhe boshti ideologjik i të qeverisurit, ndan me “rojtarin sivëlla të komunizmit” një raport me hope-hope.

Takimi Kim-Putin pason Samitin e fundshkurtit në Hanoi, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje denuklearizimi apo një pakt që do të garantonte rishkimin e sanksioneve mbi testet bërthamore dhe raketore të SHBA-së ndaj Koresë së Veriut. Megjithatë, samiti vietnamez e rrënjosi Kim-in si një lojtar botëror të paparashikueshëm për shkak të besnikërisë së tij ndaj politikës së jashtme tipikisht agresive të Koresë së Veriut, duke shpalosur në të njëjtën kohë edhe kufizimet e tij. Ekspertët e politikës ndërkombëtare e interpretojnë vizitën e Kim-it në Rusi si një thirrje për ndihmë që i adresohet Putinit, i cili nga ana tjetër synon të fuqizojë influencën ruse ndaj epërsisë të SHBA-ve në çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *