• |
ide | kryesore

Zgjedhjet për 4 komunat në veri të Kosovës, regjistrohen kandidatët e Listës Serbe

Lajme, Planet



Katër komunat në veri të Kosovës do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme më datë 19 maj. Më 27 nëntor të vitit 2018, kryetarët e këtyre njësive vendore: Stevan Vuloviq në Zubin Potoku, Zoran Todiq në Leposaviq, Vuçina Jankoviq në Zveçan dhe Goran Rakiq në Mitrovicën Veriore, dhanë dorëheqjen në shenjë mospajtimi ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 % ndaj produkteve të importuara nga Serbia. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, ish-krerët e komunave u shprehën se përmes taksës, serbëve të Kosovës u ishte kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë.

Sipas dispozitave të “Ligjit për Zgjedhje”, Lista Serbe ka aplikuar dhe është certifikuar për t’u bërë pjesë e garës elektorale. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka njoftuar se në procesin zgjedhor do të asistojë për mbikqyrje edhe Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Evropë, OSBE-ja. Ndërkaq, ndonëse zgjedhjet po afrojnë,  vendimi i qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 % ndaj produkteve serbe, vazhdon të mbetet në fuqi.

Vendosja e kësaj mase u ndërmorr nga qeveria kosovare si reagim ndaj kundërshtimit të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, si edhe ndaj politikës së diplomacisë serbe në vende të caktuara të Bashkimit Evropian për tërheqjen e njohjes zyrtare të Kosovës. “Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj”, e argumentoi në krye të herës vendimin kreu i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka shprehur vendosmërinë për ta mbajtur në fuqi këtë taksë derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, përkundër apelit të komunitetit ndërkombëtar për heqjen e taksës dhe uljen në tryezën e bisedimeve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *