Real Madrid është në prag të një revolucioni në merkato, për të lënë pas zhgënjimin e një sezoni, ku asgjë nuk shkoi në mënyrën e duhur. Edhe Zinedine Zidane në momentin që pranoi të rikthehej në pankinën e merengues e kishte bërë të qartë se duhej një ndërhyrje e fortë në merkato për të formuar sërisht një grup të konsoliduar. Por deri në këtë pikë sa të jetë e mundur që Eden Hazard e Neymar Junior të luajnë së bashku me fanellën e Los Blancos nuk ishte menduar.
Tekniku francez i ka hapur dyert një goditje të dyfishtë të paprecedentë në merkato nga Real Madrid. “Neymar ëndërron të luajë me Hazard? Real është një klub ku ëndërrat e lojtarëve realizohen. Është një klub i rëndësishëm e të gjithë duan të vijnë të luajnë këtu një ditë. Të shohim cfarë do të ndodhë. Të gjithë lojtarët përshtaten me njëri-tjetrin, edhe për mua thoshin që nuk përshtatesha me Djorkaeff…”, ka deklaruar tekniku francez, fjalë që natyrisht do të bëjnë zhurmë, sepse është një pranim i tratativave me dy prej lojtarëve më të mirë të planetit.