• |
ide | kryesore

Protestat në Venezuelë, forcohet rivaliteti mes SHBA-ve dhe Rusisë për ruajtjen e influencës

Planet



Me mijëra venezuelianë kanë mbushur rrugët qendrore të kryeqytetit të Caracas-it, në përgjigje të thirrjes së liderit të opozitës, Juan Guaido-s, i cili të martën iu drejtua bashkëkombësve të tij që të marshonin në shenjë solidarizimi me përpjekjen e tij finale për të rrëzuar nga pushteti Presidentin në detyrë, Nikolas Maduro-n.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet e tij sociale, Guaido paralajmëroi vënien në zbatim të një grushti shteti të planifikuar me mbështetjen e një grupi ushtarakësh. “Tani është momenti. Do të sjellim lirinë dhe demokracinë për Venezuelën. Sot ushtarët trima, patriot dhe burra të guximshëm që mbështesin kushtetutën, i janë përgjigjur thirrjes tonë”, shprehej Guaido, por udhëheqja e forcave të armatosura vazhdon t’i bindet urdhëresave të kreut të shtetit për shpërbërjen e tubimit dhe shpërndarjen e protestuesve .

Kriza politike që ka ngërthyer Venezuelën daton në maj të 2018-s, kur kreu i shtetit, Maduro, i cili ka shërbyer në këtë post që prej vitit 2013 përgjatë tatëpjetës së treguesve ekonomikë, siguroi një tjetër mandat 6-vjeçar, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të denoncuara nga opozita dhe bashkësia ndërkombëtare si të manipuluara. Në janar të vitit 2019, Guaido vetëdeklarohet president i përkohshëm në një prej protestave anti-qeveritare gati periodike. Njohja e Guaido-s si president i Venezuelës nga administrata Trump, u pasua nga zyrtarizimi i këtij lideri të ri edhe prej shumicës së vendeve të Amerikës Latine dhe të Evropës Perëndimore, ndërkohë që presidenti Maduro gëzon ende mbështjetjen e Rusisë, të Kinës dhe të Kubës. Opozita venezueliane ka organizuar shpesh protesta të mëdha në rrugë kundër Maduros, por nuk ka mundur ta largojë atë pavarësisht recesionit të thellë ekonomik dhe hiperinflacionit.

Në ndjekje të trazirave në Venezuelë mes përkrahësve të liderit të opozitës, Juan Guaido dhe ushtrisë kombëtare, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është shprehur se në rast nevoje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin një sulm ushtarak, pasi i druhen shpërthimit potencial të një lufte civile.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *