• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Zaev: Votoni Pendarovskin për President

Planet



Maqedonia e Veriut do të zhvillojë nesër raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballen në garë Stevo Pendarovski, kandidati i përbashkët i koalicionit qeveritar të kryesuar nga LSDM-ja dhe Gordana Siljanovska, kandidatura e të cilës është përkrahur nga VMRO-ja, si edhe nga parti të tjera të opozitës maqedonase.

Në përmbyllje të fushatës, para “rënies” së heshtjes zgjedhore, Kryeministri Zoran Zaev, i drejtoi sovranit maqedonas thirrjen për të votuar Pendarovskin, si presidentin e pestë të vendit pas shkëputjes nga ish-Federata Jugosllave. “Për të dielën kam tre porosi. E para asnjëherë më regjim. E dyta, së bashku të ecim në rrugën e vërtetë, rrugën evropiane. Dhe e treta të dielën më 5 maj, ta zgjedhim Stevo Pendarovskin, president të pestë të shtetit.”- u shpreh Zaev para mbështetësve të unionit social-demokrat.

Në koherencë të plotë, Pendarovksi i kërkoi elektoratit, në mënyrë që e gjithë ecuria e deritanishme e Maqedonisë së Veriut drejt aleancave strategjike, si edhe drejt familjes së madhe evropiane të BE-së, të vijojë me të njëtjon ritëm dhe devotshmëri. “Praktikisht de fakto jemi anëtare të NATO-s , për më pak se dy muaj do të marrim datë për negociata, kemi marrëveshje historike me Bullgarinë dhe me Greqinë, e përmbyllëm marrëveshjen kornizë dhe nuk duhet të lejojmë që opsioni i kundërt të fitojë që do të thoë kthim prapa, ndoshta edhe dekada.”- deklaroi Pendarovski.

Në raundin e parë të votimit, Pendarovski arriti të kryesonte me një avantazh të lehtë me rreth 42 %të votave Siljanovska-s, që u rendit e dyta me një diferencë të papërfillshme. Për arsye të këtij rezultati pothuaj barazitar, mendohet se vota e shqiptarëve etnikë do të luajë një rol kryesor në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Ndonëse presidenti mbart më së shumti një titull honorifik, zotëron të drejtën e vetos në disa fusha që i përcakton legjislacioni. Në rastin e përsëritjes së një rezultati të ngushtë votimi, Kryeministri Zoran Zaev mund të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, shtrënguar nga klima thellësisht e polarizuar midis social-demokratëve qeveritarë dhe konservatorëve të opozitës.

Në Maqedoninë e Veriut presidenti mandatohet për 5 vjet nga sovrani përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Çdo president ka të drejtën e rikandidimit për herë të dytë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *