• |
ide | kryesore

Elozhet e armikut: Klopp nga humbës, në triumfator…por duhet edhe një ndeshje

Sport



Mbret pa kurorë. Të paktën në Europë. Por Jurgen Klopp së shpejti mund ta arrijë edhe këtë nivel. Fitorja e mrekullueshme e Liverpool të tij ndaj Barcelona ka hyrë ndërkohë në histori dhe tani mungon vetëm hapi final për t’u bërë nga humbës, në magjistar të botës së futbollit. Po, sepse deri tani gjithmonë është kritikuar për faktin se skuadrat e tij luajnë bukur, dhurojnë spektakël, por në fund nuk marrin fryte. Dy finale të Champions League të humbura, një në drejtimin e Borussia Dortmund në 2013 dhe tjetra me Liverpool në 2018, plus një Europa League, gjithmonë me Reds, por në 2016. Në këtë pikë nuk mund të thuhet se nuk iu afrua, por siç dihet, sukseset mbi të gjitha në sport, janë ato që bëjnë diferencën. Por tani ndoshta ka ardhur momenti për Klopp të hyjë në klubin e fituesve.

Aty do të gjente Jose Mourinho që deri tani gjithmonë e kishte ironizuar, por pas triumfit në Anfield i ka hequr kapelen: “Kjo përmbysje ka një emër: Jurgen. Nuk hyn taktika, as filozofia. Është zemra, shpirti, empatia fantastike që ka krijuar në grupin e tij të lojtarëve. Liverpool rrezikonte të mbyllte një sezon fantastik pa asgjë për të festuar dhe tani është një hap larg nga triumfi europian. Jurgen e meriton. Sepse Liverpool është reflektimi i personalitetit të tij, nuk dorëzohet kurrë, çdo lojtar jep gjithçka. Dhe ai nuk qan pse humbet një lojtar, apo sepse luan 50 ose 60 ndeshje në sezon. Trajnerë të tjerë në kampionate të tjera qahen, duke thënë që lojtarët e tyre luajnë shumë ndeshje, ndërsa në realitet luajnë 30 ose 35… Sot merita shkon për mentalitetin e Jurgen”, janë fjalët që portugezi ka thënë në komentin e tij televiziv pas gjysmëfinales së kthimit. Për të parë historia e Klopp do të ndryshojë, duhet pritur finalja e Madridit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *