• |
ide | kryesore

Ndryshimi i kufijve/ Pasojat që bien edhe mbi Shqipërinë

2, Ide

Ideja për ndarjen e Kosovës, pa marrë parasysh se si është mbështjellë ajo, nuk ka qenë ide e re. Ajo ekziston që nga koha e Milosheviqit dhe një evolucion të kësaj ideje e ka përshkruar në mënyrë të jashtëzakonshme Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI). Kjo ide ka qenë një ide rezervë e të gjitha strukturave politike në Serbi, qoftë atyre radikale e nacionaliste apo edhe e atyre që janë shfaqur më të moderuar. Pa marrë parasysh se a kanë qenë në pushtet në Serbi nacionalistët e Milosheviqit, të Sheshelit e Vuçiqit apo të moderuarit e Tadiqit, ata si një “variant rezervë”, nëse nuk mund ta parandalojnë pavarësinë e Kosovës, e kanë pasur idenë e ndarjes së saj. Prejse është përmendur kjo ide, prapa dyerve të mbyllura apo edhe haptas, e tërë skena politike në Kosovë ka qenë unike në refuzimin e saj. Dhe e tillë ka qenë edhe pjesa perëndimore e Grupi i Kontaktit, e edhe BE-ja. Madje në BE kundër kanë qenë edhe ata që e kanë njohur e edhe ata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vuçiqi ka bërë një avancim, ai ka heshtur ndaj deklaratave të presidentit të Kosovës për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ka heshtur sepse deklaratat e tilla kanë mundur të shkonin në favor të asaj që është quajtur “shkëmbim territori” apo “modifikim i kufijve”.

Dallimi ka qenë se kësaj radhe edhe në BE, në mënyrë naive, duke rënë viktima të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ndoshta edhe të gatishmërisë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e edhe paqartësisë në qëndrime të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, idenë e kanë përkrahur edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, dhe komisari i BE-së, Johanes Hahn. Këta të dy nuk befasojnë, sepse ata kanë pranuar shumë ide të presidentit të Serbisë, Vuçiq, sepse duket se ai i ka impresionuar.

Ndryshimet në administratën amerikane kanë bërë që edhe atje ideja të hasë në mbështetje. Dhe çështja prej verës së vitit 2018 ka shkuar aq larg saqë është besuar se tashmë është bërë një punë e kryer dhe se Kosova e Serbia apo, thënë më saktësisht, shqiptarët e serbët do të arrinin një marrëveshje historike, e cila, pse jo, do të caktonte për herë të parë dhe përfundimisht kufirin mes këtyre dy kombeve. Dhe është pikërisht termi “kufiri shqiptaro-serb” që përdor Vuçiqi dhe ministrat e tij, ajo që e tradhton pohimin se nuk bëhet fjalë për kufij në vija etnike. Madje aq shumë besohej edhe në Bruksel se kjo ide është “shumë afër realizimit” saqë disa njerëz nga rrethi i komisarit Hahn dhe përfaqësueses së lartë Mogherini thoshin privatisht se “po punohet për të izoluar Gjermaninë”. Sepse Gjermania ishte më e zëshmja kundër kësaj ideje, por kurrsesi e vetmuar. Në fakt më shumë kishte kundërshtarë sesa mbështetës të kësaj ideje. Dhe Gjermania u thirr jo vetëm në mbështetje të shteteve tjera të BE-së, por edhe në kundërshtimin e idesë nga shumica e madhe e skenës politike në Kosovë, shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur ndërkombëtarë. Ata që mbështetën ishin kryesisht njerëz që më parë kundërshtonin pavarësinë e Kosovës ose njerëz që janë vënë në shërbim të lobimit për disa politikanë të caktuar nga rajoni. Ideja u kundërshtua shumë edhe nga vendet e rajonit, si Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, gjë që irritoi tej mase Beogradin.

Gjermania, duke e parë dëmin e pakthyeshëm që po i bëhet stabilitetit në rajon dhe kthimit prapa në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte në një lloj njohjeje pa ndryshuar kufijtë, Gjermania e pa të rrugës që të marrë përsipër nismën për të parandaluar këtë ide të rrezikshme dhe gjithsesi të kundërt me vlerat evropiane. Hapi i parë ishte natyrisht që të bindej presidenti i Francës, i cili nuk kishte ndonjë njohuri të thellë për rrezikun e kësaj ideje. Macron kështu u rreshtua me kancelaren gjermane, Merkel, që të thërrasin së bashku një samit. Dhe me të drejtë këtë samit Beogradi e pa si jo të mirë për të. Së pari, për dallim nga BE-ja dhe takimet në Bruksel, në samit Kosova mori pjesë me flamur dhe si shtet i pavarur. Parisi e Berlini nuk janë neutralë ndaj statusit të Kosovës e BE-ja është. Prandaj Kosova kurrsesi nuk do të duhej të preferonte burokratët e Brukselit para liderëve politikë të Berlinit dhe Parisit.

Së dyti, Samiti dëshmoi se nuk ka mbështetje për ndarje të Kosovës, për ndryshim të kufijve dhe nuk ka as besim në aftësitë dhe qëllimet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogherinit. Në fakt shqetësimi në Berlin pse Mogherini nuk po e kundërshtonte haptas idenë për ndarjen e Kosovës kishte nisur shumë më herët sesa që ideja të dilte në opinion. Samiti i Berlinit nuk solli zgjidhje, por ajo as që ishte pritur.

Nëse asgjë tjetër, atëherë Samiti në Berlin ka sqaruar disa çështje lidhur me idenë për ndryshimin e kufijve: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të parë pranoi publikisht se kjo ka qenë ide e tij dhe se tash, pasi nuk është pranuar, do të ketë pasoja për Serbinë. Edhe më herët kishte shumë diplomatë që thoshin se në Bruksel, Prishtinë dhe Tiranë e kanë kuptuar seriozisht se “duhet t’i ndihmojnë Vuçiqit që ai të bëjë kompromis me Kosovën”. Por kjo duket se ka qenë një grackë e presidentit të Serbisë në të cilën kanë rënë të tjerët e ai tash flet për mbështetjen e madhe që ka nga Kina e Rusia. Sepse ai e ka kuptuar se, së paku për një periudhë dhjetëvjeçare, nuk mund të llogarisë në anëtarësimin e Serbisë në BE. Por, e di se nëse e ndal rrugëtimin ndaj BE-së mund të ketë edhe ngadalësim të rritjes ekonomike në Serbi dhe ulje të nivelit të investimeve të huaja.

Pasojat e tjera të kësaj ideje janë ndasitë në skenën politike në Kosovë, ndasitë në mesin e miqve ndërkombëtarë të Kosovës dhe sponsorëve të pavarësisë së saj, ndasi në skenën politike në Shqipëri. Madje ka edhe të tillë që mendojnë se kjo ide mund ta ketë rrezikuar edhe liberalizimin e vizave e edhe ftohjen e Berlinit ndaj Shqipërisë, për çka kjo mund të rrezikojë edhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Tash në BE po flitet për “ndarjen e paketës” dhe që me Maqedoninë të nisen negociatat e anëtarësimit, ndërsa për Shqipërinë të pritet “një moment më i përshtatshëm”. Beteja për të dhënë një datë për nisjen e negociatave për Shqipërinë vazhdon, por kënaqësia e politikanëve në BE me kryeministrin Shqipërisë, Edi Rama, nuk është sikur ka qenë para disa muajsh, kur flitej se ai është “i përkëdheluri i Merkelit”. Kjo nuk ka të bëjë fare me sulmet e opozitës ndaj Ramës sa me perceptimin se edhe ai është përfshirë në eksperimentet me idenë për ndryshimin e kufijve.

Kështu, ideja për ndryshimin e kufijve duket se është hequr nga rendi i ditës. Ajo nuk mund të realizohet nëse e kundërshton Gjermania, e sidomos nëse në këtë qëndrim e ka prapa edhe Francën. Pa marrë parasysh se mund të ketë mbështetje edhe nga SHBA-ja. Por pasojat e kësaj ideje dhe shprehja e gatishmërisë në Bruksel, Prishtinë e Tiranë që për këtë të flitet fare kanë mbetur. Tash duhet zvogëluar pasojat aq sa të jetë e mundshme, sepse nuk do të jetë më e mundur që ato tërësisht të evitohen. /koha ditore/

1 Comment

  1. Vërtet që ideja per ndarjen e Kosoves eshte e hershme dhe se Serbia ka avancuar duke reabilituar fajin qe ka mbi supe per krimet çnjerëzoree ndaj civilve gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht në Bosnjë dhe Kosovë në vitet 90. Është e qartë se si Vuçiç dhe çdo politikan serb që vjen në pushtet nuk ka për ta njohur pavarsinë e Kosovës për shumë arsye. Një ndër to është dhe frika për sigurinë personale dhe ndëshkimin, pasi shoqëria serbe është ushqyer me një nacionalizëm ekstrem dhe asnjëher nuk do pajtohet. Kjo urrejtje dhe ky ekstremizëm i shoqërisë serbe vjen prej faktit se Serbia nuk është ndëshkuar rëndë për veprimet e saja nga faktori ndërkombëtar. Kështuqë e vetmja rruge që e detyron Serbinë për tu tërhequr nga politikat shonivinste në dëm të shqipëtarve është bashkërendimi i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim që Shqipëria zyrtare të ngrej akuza ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare për genocid dhe krime lufte ndaj popullsisë civile në Kosovë.
    Sa më shumë të vonojë kjo nismë aq më keq do shkojnë punët si në Shqipëri dhe Kosovë. Nëse vërtet kemi burra shteti ky është momenti për të vepruar me dinjitet, zgjuarsi dhe maturi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu