• |
ide | kryesore

Ligjërimi për një grusht parash i arkitektit Stefano Boeri

Blog



Atëherë kur mendon se gazetaria shqiptare nuk mund të bjerë më poshtë, lexon një intervistë thellësisht patetike me arkitektin italian Stefano Boeri tek Shqiptarja.com.

Italiani Boeri “fitoi tenderin” për të hartuar planin e përgjithshëm të Tiranës, të quajtur Masterplani Tirana 2030. Raporti përfundimtar që Boeri dorëzoi ishte jo vetëm seriozisht i mangët dhe i bazuar në të dhëna të pasakta, por edhe në shkelje të kontratës së bërë me institucionet shqiptare. Megjithatë, Boeri i ka korrur fitimet e masterplanit të tij, duke u përfshirë në disa projekte klienteliste ndërtimi në të gjithë Tiranën.

Në vitin 2018, Boeri u vu nën hetim për ndërtim pa leje në një zonë natyrale në Norcia, Itali. Vendi i ndërtimit u konfiskua në janar 2019 nga policia italiane, dhe seancat e para në gjykatë u mbajtën në shkurt. Siç ndodhi me arkitektin italian Marco Casamonti, i cili është dënuar për korrupsion në Firence, Boeri tani po e provon fatin e tij në një vend ku kontaktet e tij politike mund t’i sigurojnë të mos humbë ndonjë proces në gjykatë.

Lexo me tej:

Dy standartet e Stefano Boerit, një për Milanon, një për Tiranën

“Intervista” hapet me një lumë lëvdatash nga gazetarja Alba Malltezi, e cila e quan masterplanin Tirana 2030 “një himn për ringjalljen e natyrës pranë qendrave të banimit”. Shqiptarët janë “me fat” që “një arkitekt italian i këtyre përmasave dhe me këtë vizion, të cilin do “ta adhurojnë brezat që do të vinë”, ka mbërritur në Tiranë.

I gjithë roli i Boerit në këtë intervistë është t’i thurë lavde projekteve të qeverisë që kanë hasur në kundërshti të mëdha publike, duke përdorur statusin e tij si arkitekt i “famshëm” dhe i “adhuruar” me qëllim uljen e rëndësisë dhe shpërfilljen protestave dhe apelit të indinjuar të qytetarëve të Tiranës. Shikoni se çfarë broçkullash flet ky orakull i arkitekturës kur i jepet mundësia të flasë pa fre.

Për cilësinë e ajrit në Tiranë (një ndër qytetet më të ndotura të Europës):

“Sot Tirana është një qytet që ka filluar të marrë frymë, duke filluar nga Sheshi Skënderbej.”

Me fjalë të tjera: Nuk më plas për nivelin e vërtetë të ndotjes sepse ka disa pemë në shesh.

Për Bulevardin e Ri (për të cilin dhjetëra familje janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë, pa asnjë dëmshpërblim):

“Njerëzit nuk mund të detyrohen të ndryshojnë jetët e tyre, por përballë mundësisë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, pa u zhvendosur në periferi apo pa u larguar nga vendet për të cilat kanë kujtime vetjake, ka shumë zgjidhje për të kompensuar sakrificën që po bëhet, pasi cilado qoftë shtëpia, cilido qoftë vendi, cilatdo qofshin kushtet, shtëpia ku jeton është një pjesë e historisë personale.”

Thënë thjesht: dëmshpërblimi monetar për dëbimin e paligjshëm nga shtëpitë e tyre është vetëm një nga “zgjedhjet e shumta”, këta njerëz të varfër duhet thjesht të largohen dhe ta lejojnë Lali Erin të bëjë punën e tij!

Për shkatërrimin e pritshëm të Teatrit Kombëtar (për të cilin kolegu i Boerit, Bjarke Ingels, shërbeu si mbulim për skemën së Edi Ramës për të transferuar tokë publike tek kompania e afërt e tij, Fusha shpk):

“Sot në Itali ka një kujdes të madh, ndonjëherë edhe të ekzagjeruar, në mbrojtje dhe ruajtje të historisë dhe nga kjo perspektivë Italia ka humbur disa mundësi të ëdha për shkak të ekzagjerimit të ruajtjes së historisë dhe të shkuarës.”

Me fjalë të tjera, Boeri po thotë: Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri ku qeveria është aktive në nxitjen e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, sepse në Itali nuk mund të bëj atë që dua.

Për projektet e tij ndërtimore, kullat Pylli Vertikal dhe Kubi (kulla, lejet e të cilave janë dhënë nga Kryebashkiaku Veliaj, i cili premtoi në fushatë se nuk do të jepte leje ndërtimi për kulla):

“Një qytet i përbërë nga pjesë shumë të njejta, homogjene, të ngjashme, nuk është qytet interesant.”

Me fjalë të tjera: një qytet me një vizion të qartë arkitekturor, në të cilin ekziston një ide e zhvilluar mirë për siluetën e qytetit, hapësirën publike dhe transportin publik, është i mërzitshëm. Më pëlqen që është një rrëmujë në Tiranë, sepse kjo do të thotë që unë mund të bëj çfarë të dua.

Ka edhe një pohim tjetër që nuk dua ta lë pa cituar, i cili tregon qenien thellësisht sipërfaqësor të këtij njeriu, të maskuar me fjalë të shumta por boshe:

“Ne kemi nevojë për Mesdheun pasi në politikën ndërkombëtare Europa e vetme ka pak peshë, dhe kemi nevojë për një perspektivë, edhe pse duket kaq e vështirë sot me Libinë, me Sirinë, dhe me ato që po ndodhin sot në pjesë të tjera të Mesdheut, ne kemi nevojë për Mesdheun, kemi nevojë për Turqinë, për Egjiptin, dhe të gjithë vendet, dhe, sipas meje, Shqipëria është një urë kulturore, një urë edhe për shkak të aftësisë së saj për të bashkëjetesën me tri fe kryesore së bashku, pa asnjë konflikt, pra Shqipëria ka elementë të së ardhmes së Europës brenda saj.”

Nëse ky pohim ju duket pa shumë kuptim, ashtu është. Dallimi ndërmjet “Mesdheut” dhe “Europës” është bërë si një gjë që nuk ka nevojë për shpjegime, edhe pse një pjesë e këtij Mesdheu, përfshi Italinë, është tashmë pjesë e Evropës. Boeri ka nevojë për një “perspektivë” që përfshin vendet e tjera të Mesdheut, por është tërësisht e paqartë se çfarë duhet të jetë kjo perspektivë. Më pas ai i rikthehet klisheve të Ramës për bashkëjetësën e tri feve, të cilat në një farë mënyre janë “e ardhmja e Evropës”.

Nuk ka asnjë gjë, asgjë fare që ky njeri mund të kontribuojë në Shqipëri, përveç konfirmimit pa pushim të këtij fakti të vetëm: lëpiju pushtetit dhe kështu mund të mbushësh xhepat. Dhe Boeri po lëpin aq shumë sa gjuha e tij nuk është më në gjendje të formojë një fjali të vetme me kuptim.

Vincent W.J. van Gerven Oei/Exit.al



2 Comments

  1. A mund te me thoni,a eshte bere Bollino-Italiani-shqiptar,mafioz shqiptar,me i mbrapshte se kriminelet shqiptare,apo Alba-e shoqja,eshte bere nga mafiozet me te rrezikeshme italiane,por qe vepron edhe ne Sqiperi?

  2. Keta rilindasit jane gallate!
    E konsumojne burrin e botes me tema politike qe nuk i njeh dhe per pasoje i trajton me konfuzion dhe zell te denje per elisen , duke i humbur keshtu besueshmerine edhe ne ceshtje ku ka kompetence profesionale. Ky ndoshta veteofrohet se qeka ne hall atje nga vendi i vet, por rilindjes nuk i vlen.
    Gjithsesi, Boeri nese mban shpresa se rama do e shpetoje edhe nga ekstradimi, si orbani gruevskin, eshte komplet naiv. Vec ne i ka video si saja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *