• |
ide | kryesore

Flamurtari me të rinjtë kundër Kastriotit: teknikut Daja i mungojnë pesë titullarë

Sport



Transferta e Fushë-Krujës për Flamurtarin dukej e vështirë, në gjendjen që ndodhej skuadra, por pa pagesa, e me mungesa të shumta po kthehet në një mision të pamundur. Vlonjatët kanë vijuar normalisht përgatitjet gjatë këtyre ditëve, por vigjilja e sfidës delikate me Kastriotin është komplikuar për teknikun Ilir Daja, që ka humbur pjesë të rëndësishme të skuadrës përpara ndeshjes së të dielës. Kolici është i dëmtuar dhe zyrtarisht nuk rikuperon dot për ndeshjen në Fushë-Krujë, gjithashtu edhe Blerim Kotobelli ka plotësuar numrin e kartonëve e është i skualifikuar, ndërsa problem më i madh pët teknikun e Flamurtarit është dëmtimi i pësuar nga Xhevahir Sukaj në ndeshjen e humbur kundër Partizanit.

Sikur të mos mjaftonin tre mungesat e rëndësishme edhe Elton Kale dhe Idriz Batha janë dy lojtarë të tjerë që shqetësojnë Flamurtarin, me të dy lojtarët që kanë kryer stërvitje të diferencuar dhe nuk i janë bashkuar grupit. Braziliani madje ka munguar edhe në stërvitjen e një dite më parë, duke e bërë gati të sigurtë mungesën e tij. Nëse dy lojtarët nuk ia dalin, Daja duhet të bëjë pa pesë titullarë: në këtë pikë rezultati pozitiv cilësohej mjaft i vështirë për tu arritur edhe duke mos patur kaq shumë mungesa, por sic duket tekniku i kuqezinjve duhet të bëhet gati të improvizojë.

Po të shtojmë këtu edhe mungesen e pagave, që cdo ditë e më shumë rëndon psikologjikisht tek futbollistët, atëherë situata nuk duket aspak optimiste. Deri më tani, traineri Daja ka provuar disa lojtarë të rinj: me Rapaj që ka fituar tashmë formacionin, por edhe Ymeraj, Haruni e Kreshpa kanë patur minutat e tyre. Por sipas mundësive kundër Kastriotit, duket se vec tyre Daja do të hedhë sytë drejt të tjerë të rinjve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *