• |
ide | kryesore

DW: Tiranë, bomba molotov, përplasje me policinë, gazlotsjellës

Lajme, Të fundit



Të dielën në orët e para të ditës, opozita vendosi të zhvillojë të hënën protestën e saj të radhës. Vendimi vjen pas zhvillimit të shtunën të protestës më të gjatë dhe të përshkallëzuar në akte dhune në serinë e protestave që po zhvillon opozita që nga shkurti i kaluar. Opozita kërkon largimin e kryeministrit, Edi Rama dhe formimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo akuzon kryeministrin Rama se PS, që ai drejton, ka fituar mandatin e dytë qeverisës në zgjedhjet parlamentare 2017, me vota të vjedhura dhe lidhje me krimin.

Protestuesit me thirrjet “Duam një Shqipëri si Europa” dhe “Rama Ik” protestuan për më tepër se 6 orë dhe u shpërndanë në orën 1.30 pas mesnate. Një pjesë e tyre, mes të cilëve edhe me fytyra të maskuara, sulmuan efektivat e policisë, institucionin e Kryeministrisë, Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë me bomba Molotov, hodhën tymuese dhe fishekzjarrë. Ata u përleshën me policinë, çanë kordonin e efektivave të saj dhe u ngjitën në hyrjen kryesore të Kryeministrisë. Bomba Molotov u hodhën edhe në godinën e Kryesisë së Parlamentit, përballë Kryeministrisë ku një ballkon u përfshi nga flakët.

Basha: Kjo nuk është betejë për pushtet

Lulzim Basha, kryetar i PD dhe opozitës në Shqipëri, në fjalën e tij para disa mijëra protestuesve tha se ” këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, por për një transformim të thellë politik, kushtetues dhe zgjedhor me standardet europiane dhe amerikane. Ne jemi këtu me një mision, për të çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, për ta bërë Shqipërinë si pjesa tjetër e Evropës. Jemi të vendosur të vazhdojmë të bëjmë një betejë më të madhe dhe më të vendosur për sa kohë që qeveria po e mbante Shqipërinë larg nga Evropa”.

Pas thirrjeve të policisë drejtuar organizatorëve për të ndaluar aktet e dhunës dhe hedhjes së gazit lotsjellës protestuesit u drejtuan për në Parlament. Rrugës ata hodhën bomba Molotov pranë European Trade Center, (ETC) duke bërë që të përfshihet nga flakët një pjesë e një kantieri ndërtimi. Parlamenti u bë objekt i një sulmi më të ashpër bombash Molotov dhe hyrja e tij u mbulua nga flakë të mëdha. Policia reagoi përsëri me gaz lotsjellës dhe zjarrfikës dhe ndaloi disa protestues, mes të cilëve edhe Sahit Dollapin, sekretar Organizativ i PD. Protestuesit u zhvendosën në Drejtorinë e Policisë, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve, hodhën shashka, bomba Molotov duke shkaktuar flakë që u shuan nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Dënim i dhunës

Pasojë e dhunës së përshkallëzuar janë 14 efektiva policie të lënduar dhe dy protestues të shtruar në spital, krahas dëmtimit të godinave të institucioneve shtetërore. Dhuna në protestën e mbrëmshme është dënuar nga faktori ndërkombëtar i pranishëm në Tiranë. Prania e OSBE përmes një postimi në media vë në dukje se “dënon plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunë si një rrugë të shkurtër politike, ata do të dështojnë”.

OSBE foli edhe për “përgjegjësi politike të organizatorëve të protestës ndaj dhunës kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësve të tyre”. Në një reagim të dytë, pas akteve të dhunës në Drejtorinë e Policisë, OSBE theksoi se “dhuna nuk është përgjigja. Edhe reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon” duke iu drejtuar Policisë së Shtetit.

Ambasada e SHBA në Tiranë në një deklaratë të saj dënoi dhunën si një veprim që shkon në kundërshtim me demokracinë. “Synimi që deklaron opozita për ta bërë më të fortë demokracinë në Shqipëri është në kundërshtim me dhunën që po ushtrojnë aktualisht protestuesit”, thekson deklarata,

Kryeministri Rama në një postim në Twitter e quan politikën e opozitës “të verbër” dhe shkruan se “është trishtim që lideri i opozitës t’i kërkojë qeverisë të ikë kur rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj, zjarr që qeverisë nuk ka çfarë t’i bëjë, por Shqipërisë i bën dëm”. Shqipëria shpreson të marrë miratimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE , në qershor apo shtator të këtij viti./DW



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *