• |
ide | kryesore

Kujtesë për opozitën: vetëm me protesta as qeveria nuk do ndryshojë, as Rama nuk do ikë

2, Arkiva, Ide



Këtë fundjavë u bëmë dëshmitarë të shfaqjeve të dy kundërshtarëve kryesorë politikë në Shqipëri. Të shtunën, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha udhëhoqi një protestë të opozitës, e cila u njollos nga hedhja e shashkave e bombave Molotov dhe dhuna ndaj policëve, pa ofruar asnjë propozim të vetëm politik, ndërsa një ditë më pas Kryeministri Edi Rama përdori edhe njëherë “kontratën e tij me njerëzit” që ai nuk mund ta thyejë duke dhënë dorëheqjen.

Secili ka zënë qoshen e vet, por vetëm njëri, Basha, përballet më një problem jetik.

Kryeministri Rama vazhdon të ketë mbështetjen jo shumë entuziaste të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk dëshiron të shkaktojë paqëndrueshmëri në Ballkan. Duket gjithashtu se ai nuk po merr ndonjë reagim shumë negativ për parlamentin e zbrazët (jokushtetues), ku po instalon ngadalë një “opozitë hije” e cila mund t’i sigurojë atij mjaftueshëm vota për të miratuar çdo ligj që ka nevojë për shumicë të cilësuar. Të paktën kështu mendon ambasadori i BE-së Luigi Soreca kur shprehet për arritjen dhe zbatimin e shpejtë të një reforme zgjedhore.

Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore, të bojkotuara deri tani nga opozita, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ndërsa ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt nuk ka mohuar mundësinë që OSBE do t’i njohë zgjedhjet edhe nëse opozita nuk do të marrë pjesë në to.

Me pak fjalë, deri tani veprimet dhe protestat e opozitës nuk e kanë dobësuar bazën e pushtetit të Ramës, dhe as perspektivën e tij për të fituar një shumicë të madhe në qershor.

Rreziqet për opozitën, dhe në veçanti për udhëheqësin e PD-së, janë shumë më të larta. As Basha dhe as ish-deputetët e tij nuk kanë më vend në asnjë nga tavolinat ku merren vendimet, dhe vizitat e diplomatëve të huaj tek ta janë kthyer në vizita për mirësjellje.

E gjithë ideja e braktisjes së Parlamentit ishte që Basha t’i kthehej popullit dhe të ofronte një vizion të ri për Shqipërinë, por për fat të keq, shumë pak nga ky vizion i ri ka marrë formë. Parrulla të tilla si “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Rama ik” janë rikthim tek protestat e mëparshme kundër qeverisë në vitet 1990-të dhe në fillim të viteve 2000, e nuk ofrojnë asgjë të re. Për më tepër, e vetmja kërkesë këmbëngulëse e opozitës ka qenë largimi i Ramës dhe formimi i një qeverie tranzitore, pa asnjë ide tjetër se si do të arrihej dhe funksiononte kjo gjë ligjërisht apo praktikisht.

Kuadri ligjor shqiptar nuk ofron asnjë mundësi për të negociuar një qeveri kalimtare me një opozitë jashtëparlamentare, edhe nëse Rama pranon të japë dorëheqjen. Një qeveri e tillë kalimtare duhet të përcaktohet nga një konsensus parlamentar.

Nëse opozita imagjinon të ripërsërisë marrëveshjen McAllister + të vitit 2017, bën mirë të kujtojë se OSBE-ODIHR e kritikoi ashpër marrëveshjen, e cila shkeli në masë Kodin Zgjedhor. Një marrëveshje tjetër e negociuar midis Ramës dhe Bashës do të shkatërronte edhe më shumë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe do të konsolidonte precedentin e rrezikshëm të marrëveshjes McAllister +; pra se politika qëndron mbi sundimin e ligjit.

Pastaj, mbetet edhe çështja praktike e dorëheqjes së Ramës. Edhe nëse do të japë dorëheqjen si kryeministër, ai do të mbetet kreu i Partisë Socialiste dhe, si rezultat, do të jetë negociatori kryesor në çdo bisedim për qeveri kalitare. Ai do të mbetet personi me të cilin do të ndiheshin personalisht të lidhur dhe besnikë shumica e politikanëve dhe mbështetësve të PS-së dhe, nuk ka gjasa, që Basha të sigurojë një mbështetje kaq të madhe popullore sa disa prej tyre të ndërronin anë.

Këtu qëndron problemi kryesor i Bashës: ai kërkon dorëheqjen e Ramës nga pozita të dobëta. Disa nga mbështetësit e tij mund të hedhin bomba molotov, por nuk do të jenë në gjendje ta rrëzojnë qeverinë, nëse ai nuk u jep përkrahësve të tij dhe qytetarëve shqiptarë diçka për të cilën ja vlen të luftohet. Dhe kjo do të thotë, fare thjeshtë, propozime politike që do të përmirësojnë ndjeshëm jetën e shqiptarëve nëse ato vihen në zbatim.

Deri më tani, pjesa më e madhe e planeve të paraqitura nga PD nuk janë gjë tjetër vecse hapja e kuletës së shtetit për të shpërndarë para me anë të subvencioneve dhe uljes së taksave. Por teza “do ju jap para” nuk është argument bindës, aq më tepër nëse është i vetmi argument që bëhet.

Ajo që ka nevojë Shqipëria është një vizion për ta shndërruar ekonominë nga një sistem oligarkik të ngritur mbi paranë kriminale që pastrohet me anë të pasurive të patundshme në një ekonomi të ngritur vërtet mbi pasuritë dhe mundësitë njerëzore dhe natyrore që afron Shqipëria, vecanërisht në turizëm, bujqësi dhe minerale.

Duke kërcënuar se do të zhbëjë të gjitha kontratat e koncesioneve jo vetëm që rrezikon përballjen e Shqipërisë me kosto gjigande në arbitrazh ndërkombëtar; por, mbi të gjitha, nuk zgjidh asnjë nga problemet themelore: krijimin e vendeve të punës, shëndetësinë dhe arsimin, menaxhimim e mbetjeve.

Për reformat e tjera të mëdha nuk kemi dëgjuar asgjë nga opozita në asnjë nga protestat e saj. Ku është mbrojtja për sundimin e ligjit, e kërcënuar seriozisht nga reforma në drejtësi e dalë nga binarët?

Ku janë propozimet për një reformë zgjedhore, që përmban vërtetë vizionin për t’u dhënë fuqi votuesve shqiptarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe për të kufizuar ndikimin e parasë kriminale? Ku janë propozimet për infrastrukturën, për teknologjinë, për emigracionin, për politikën e jashtme?

Kabineti i Ramës është i mbushur me injorantë dhe amatorë, por nëse opozita nuk promovon asnjë alternativë tjetër, de facto ata do përcaktojnë debatin.

Kaq e vështirë qenka të gjesh dikë më vizionar për politikën e jashtme se sa Gent Cakaj?

A nuk mund të gjejnë, ata, një njeri të aftë të hartojë një masterplan për arsimin më të mirë se Besa Shahini? Po për financat dhe ekonominë kaq e vështirë është të gjesh dikë më pak të padukshme se Anila Denaj?

Vetëm me një diskurs që ngjall shpresë dhe besim tek ata që nuk janë militantë apo mbështetës të PD-së, vetëm me plane të cilat do të mund të tërheqin votuesit nga rradhët e PS-së, përpjekja e Lulzim Bashës për të ndryshuar politikën shqiptare mund të jetë e suksesshme.

Shembulli i fundit i Turqisë tregoi se as kontrolli total mbi procesin zgjedhor nuk arriti ta shmangë humbjen e Erdoganit në Turqi.

Edhe pse u arrestuan dhe u burgosën, edhe pse çdo gazetë opozitare u mbyll, edhe pse partia e Erdoganit kontrolloi të gjithë procesin politik, sërish opozita e bashkuar arriti të bëhet një grusht i fuqishëm dhe të fitonte të gjitha bashkitë kryesore të Turqisë.

Ata nuk fituan për shkak të protestave të përditshme me molotov dhe me parrullën e përsëritur papushim “Erdogan Ik”.

Një fitore e tillë zgjedhore — e cila pas të gjithave, është e vetmja fitore e cila duhet të ketë rëndësi — kërkon aleanca të zgjuara, një program politik dhe një vizion të vërtetë.

Shqipëria është e lodhur me Ramën, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por, nëse opozita nuk kërkon që të bëjë një ndryshim të vërtetë dhe nuk heq dorë nga përsëritja e lodhshme e qasjeve të vjetra, qeveria nuk do të ndryshojë dhe as Rama nuk do të ikë. /exit.al/



14 Comments

  1. Eshte shume e thjeshte per te mos e kuptuar. Opozita nuk po ben fushate elektorale qe te propozoje platforme per ekonomine, shendetesine dhe arsimin. Po zhvillon nje beteje per zgjedhje te lira. Nuk eshte e vertete qe e ka te pamundur te fitoje perballe infrastruktures ilegale te mazhorances. Ka disa menyra qe e cojne drejt fitores:
    1- Bashkepunimi me banda dhe te forte qe ne shqiperi nuk shterojne kurre.
    2- Nje projekt gjigand genjeshtrash masive si ato qe leshoi rama ne 2013 dhe kjo shtresa e arsyshme e te pavendosurve i hengri plotesisht.
    3- Nje projekt real dhe i besueshem per ndertimin e ekonomise dhe ndryshimin e sistemit, te ngjashen ne ate te Berishes ne 2005.
    Nese opozita zgjedh njeren nga keto rruge dhe vjen ne pushtet; A e zgjidh kjo problemin e zgjedhjeve? Absolutisht jo. Prandaj opozita po perpiqet ta beje kete nje beteje parimi dhe jo kalkulimi per pushtet dhe per kete ka zgjedhur rrugen me te veshtire, ate te bindjes se shqiptareve per te shkuar ne rrugen e saj dhe jo rruget e thjeshta per te shkuar te shqiptaret( rama me mire se kushdo na i ka treguar sa te thjeshta jane keto rruge). Pra ne vend te karameleve toksike opozita propozon ilace te hidhura per te zgjidhur problemin me te rendesishem, ate te zgjedhjeve. Shqiptaret duhet te tregohen edhe te zgjuar edhe pragmatik dhe parimor dhe ti bashkohen opozites vetem ne dimensionin e saj si agjente per stabilizimin e zgjedhjeve te lira ne kete vend, qe me ne fund alternativat elektorale te prevalojne nga te gjitha palet dhe te debatohen ne imtesi, qofte edhe me riskun qe opozita te humb ne fund. Kjo eshte 100 here me pozitive se nje fitore e arritur pavaresisht manipulimeve masive, pasi mekanizmi do vazhdoje te mbetet gjalle duke na sjelle prap ne kete gjendje. Prandaj ne kete moment te gjitha energjite opozitare duhet te bazohen ne nje pike pra tek zgjedhjet e lira. Edhe ne kushtet e nje opozite te afte dhe vullnet mire eshte e pamundur qe te prodhohet nje program i mire per ndryshimin total te sistemit , te cilit pala tjeter nuk i ben oponence sepse e ka mendjen tek vjedhja e votave dhe jo bindja e votuesve.Keshtu qe gazetare,profesore, intelektuale e keni gabim nese ne kete moment i kerkoni opozites te shkoje tek njerezit. Perpiquni te bindni njerezit te shkojne tek opozita.

    1. Përveç argumenteve shumë të gjetura se pse duhet mbështetur opozita, dua të shtoj edhe një tjetër:

      A kanë shqiptarët alternativë tjetër përveç Opozitës së Bashkuar me PD në krye të saj?

      A ka brenda pozitës zëra alternativë të grupuara e të bërë publik si alternativë e edvinit?

      Madje edhe përfoljet për qeveri tranzitore ku të ketë ministra socialistë nuk është alternativë. sepse këta socialistë në këto 6 vjet, me shumë, shumë pak përjashtime, si Arben Malaj psh, kurrë nuk e ngritën zërin për monstruozitetet e ideuara nga edvin lapangjozi dhe në fund të fundit ata që e lejuan këtë gjëmë të paktën moralisht janë përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto vite.

      Prandaj jam dakort me Bertin se sot më shumë kemi nevojë ne për PD se sa ajo për ne.

    2. O Berit, e kupton qe ky i gjati ine ka vdek me kohe , ky eshte i vdekur i pakallur . Kete nuk e duan me as te vetet , ky nuk ka sjelle varferi ky solli skamjen ne kete vend . Njerezve u ka vajt aty ku nuk mbane me . Ky milet , kete qelbesire rilindas ta haje te gjalle nuk ka te ngopur , por problemi eshte se opozita me Bashen dhe Moniken nuk japin besim , mileti eshte shume difident edhe ndaj tyre sepse e ka provuar mbi kurriz eshe pushtetin e tyre .

      Ti thua : ” Opozita nuk po ben fushate elektorale qe te propozoje platforme per ekonomine, shendetesine dhe arsimin. Po zhvillon nje beteje per zgjedhje te lira. ”
      Pikerisht kete qe ti thua , opozita nuk po e bene . Pikesrisht kete qe eshte thembra e Akilit ata nuk po bejen . Opozita po kerkon qe me rrotacion te mbaje ne kembe nje statusquo perpetuo . Nese opozita e shkruan te zeze ne te bardhe te gjitha kerkesat per sistemin zgjedhor dhe kushtetues dhe ja vendos gjatoshit mbi tavoline , une te them : qe ky qelbesire rilindas nuk e kap javen .

      1. Per mendimin tim nuk eshte problem qe lidhet me ndryshimin e ligjeve. Ligjet jane. Opozita e ka kapur demin prej brireve duke kerkuar 2 gjera:
        1- Menaxhim neutral te procesit zgjedhor
        2- Denim te te gjithe personave te perfshire, si e vetmja menyre qe te mos perseritet me.
        Gjithashtu rritja e ndergjegjesimit te popullit per kete problem ndihmon shume. Do ishte mrekulli ne qofte se ne ate shesh dalin 300 mije veta edhe te pa parti vetem per kauzen e zgjedhjeve. Problemet ndonje here i zgjidh fryma me mire se cdo gje. Opozita po ben detyren sepse si parti politike i takon te pares te ngrihet per ceshtjen e zgjedhjeve dhe deri diku duhet se ia ka dale. Por mendoj se e eshte shume e nevojshme mbeshtetja, angazhimi dhe besimi i intelektualeve, pa asnje kompleks, sepse kjo nuk eshte vetem beteje partish. Fakti qe e filloi PD eshte i natyrshem sepse zgjedhjet jane ADN-ja e partive por na perkasin te gjitheve. Duket si enderr por kjo ceshtje nese merret seriozisht nga te gjithe ka potencialin ta beje Shqiperine si e gjithe Europa ne nje kuptim, sepse rrezon me nje goditje aliazhin krim-oligarki-politike. Ne kete moment nuk eshte puna te frymezoje opozita por kauza e opozites, prandaj them qe duhet te behet thirrje qe te shkojne njerezit tek kauza e opozites dhe jo opozita tek kauzat e njerezve. Edhe po nuk e pati seriozisht nje bashkim gjigand do ta bente opoziten skllave te betejes qe vete e filloi.
        Eshte nje beteje qe na nxjerr te gjitheve te fituar ne fund edhe ne qofte se e nxjerr opoziten humbese. Nuk e di a do kete sukses, por nuk me duket se ka rruge tjeter.

  2. Shqiptaret nuk e kane opoziten ne adn e tyre. PD nuk ka fitu kurre fair and square sic thuhet. Edhe ne 2005 erdh ne pushtet se nga ps u largua ilir meta duke i heq nje pjese te konsiderushme te elektoratit. Prej atehere shume ujra kane rrjedh dhe shume prej lsi-steve jane kthy ne baze. Keshtu qe good luck Lul Basha. You’re gone need it.

  3. Rama i ka fitu zgjedhjet edhe kur ne fuqi ishte saliu me krejt aparatin e dhunes shikut,policis,ushtris,administrates.

  4. Rama ne cdo rast ka pas me vete bashkite me te medha, televizionet me te medha, me raste presidentin, me raste nje pjese te qeverise dhe gjithmone BANDAT. Opozita nuk ka asgje nga keto ne kete moment.

  5. Rama ka mbeshtetjen e pjeses me te madhe te popullsise.

    Rama eshte ne te drejte te vet dhe prandaj ka perkrahjen pa perjashtim te nderkombetareve.

    Luli ka qene minister per 8vjet dhe kryetar bashkije per 4vjet. Nuk ka bere asgje nga ato qe thote do beje dhe as nuk kerkoi ti bente kur ishte ne opozite. Ai eshte figure kukull dhe i pabesueshem.

    Luli i ka shpetuar drejtesise me procedure dhe eshte pergjegjes per vrasjen e kater demostruesve ne shesh. “Kauza” e vertete e Lulit eshte frika nga drejtesia per vete dhe Sali qenefin.

    Keto te verteta dihen nga njerezit dhe nga nderkombetaret, ndaj dhe jemi ketu ku jemi. Sali qenefi dhe Luli do futen ne burg dhe besoni apo jo kjo do jete dita e fitores per te djathten e vertete.

    1. O budalla kishit 6 vjet kohë për të futur në burg Berishën dhe Bashën, dhe meqënëse nuk është bërë deri tani, mutin do ti hani si gjithmonë.

  6. Nuk ka njeri ne bote qe te besoje se Basha dhe ata qe e rrethojne eshte me i dashuruar pas sundimit te ligjit sesa Rama dhe te vetet! Nje m.. jane te dy palet. Lidershipit te PD-se i ka ikur truri sepse ka humbur gjate viteve cdo avantazh konkurrues potencial qe kishte/mund te kishte ndaj Rilindjes. Ndaj edhe po luan karten e fundit, ate me te deshperuaren, dhunen. Me ket strategji nuk ka asnje shprese. Sepse dhuna edhe mund ta rrezoje Ramen, por ka shume efekte anesore te demshme per interesat e paleve te treta (shtetet e rajonit, bashkesia nderkombetare, kreditoret nderkombetare dhe kombetare te ekonomise shqiptare, investitoret vendas dhe te huaj, e me rradhe), te cilat edhe pa qene domosdoshmerisht te lidhur me Rilindjen, do te rreshtohen krah saj kunder revolucionareve.

    Dy rruge shikoj une. O PD-ja vret babane dhe emancipohet, duke u shnderruar ne force te re, bashkekohore politike (po e beri kete per 6 muaj maksimumi i vjen pushteti ne preher vete) e hapur ndaj kontributit te kujtdo. O mbetet kjo qe eshte dhe do te zhduket bashke me Rilindjen me ardhjen e se pares force te re serioze politike (qe heret a vone do te vije).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *