• |
ide | kryesore

Trump “skërmit dhëmbët” ndaj Iranit: Nëse bëjnë ndonjë gjë, do të vuajnë

Planet



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do t’i përgjigjet “sy për sy, dhëmb për dhëmb” në rastin e ekzekutimit të një plani që bie ndesh me interesat amerikane në Lindjen e Mesme. “Nëse bëjnë ndonjë gjë, do të vuajnë shumë.”- deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një dalje publike pas takimit që zhvilloi ditën e djeshme me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore e vitit 2015, që shtyu Iranin të njoftuar se do të pezullojë angazhimet kryesore që i parashtroheshin me karakter detyrues. Presidenti iranian, Hassan Rouhani, njoftoi se rezervat e uraniumit të pasuruar nuk do të eksportohen më, sikurse është bërë që pas nënshkrimit të marrëveshjes e deri më tani. “Kush jeni ju që të vendosni për Iranin dhe botën? Bota sot nuk pranon që Amerika të vendosë për të, vendet janë të pavarura, ajo kohë ka marrë fund.”- u shpreh Rohani.

Presidenti i shtetit iranian i bëri këto komente fill pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kërkoi nga Republika Islamike që të bëjë ndryshime të thella, në mënyrë që të përfitojë hiqjen e sanksioneve amerikane. “Ne nuk duam luftë. Por, Irani, për 40 vjet, ka vrarë ushtarë amerikanë, ka sulmuar objekte amerikane dhe ka marrë pengje amerikane dhe një gjë e tillë është përkujtues i vazhdueshëm se ne duhet të mbrohemi.”- tha zyrtari i lartë amerikan.

Në kundërpërgjigje, Rouhani paralajmëroi se në harkun kohor të dy muajve, Irani do të rifillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar. “Këto masa janë për 60 ditë. Nëse në këto 60 ditë, evropianët do të ulen me ne në negociata dhe të arrijmë një marrëveshje në interesin tonë, veçanërisht për sa i takon naftës dhe bankave, ne do ti kthehemi marrëveshjes së vjetër.”- kërcënoi kreu i shtetit iranian nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes.

Përmes zbatimit të marrëveshjes së vitit 2015, synohej që në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, të arrihej frenimi i ambicieve dhe reduktimi i kapacitetit bërthamor të Iranit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *