• |
ide | kryesore

Video/ Bayern Mynih kampion i Gjermanisë: Dortmund nuk i mjafton fitorja

Sport, Video



90 minutat që vendosnin titullin kampion në Gjermani kanë patur edhe dramën brenda, por që gjithësesi nuk e pengoi Bayern Mynich të shpallet kampion i Gjermanisë, me dy pikë përpara Borussia Dortmund. Bavarezët kanë shkatërruar 5-1 Eintracht Frankfurtit, duke arritur të parët finishin për të shtatin sezon radhazi.

Titulli i 29 në histori për Bayern, që u fut në sfidën përballë Frankfurt me dy rezultate në lojë sepse edhe barazimi do ta nxirrte përpara Dortmund, pavarësisht fitores së Borussia kundër Monchengladbach. E megjithatë një start i frikshëm, me golin e Kingsley Coman, pas vetëm katër minutash, tregoi llojin e ndeshjes me të cilin Frankfurt duhej të mësohej në Allianz Arena.

Në anën tjetër, Dortmund nuk dëshironte të linte peshën e fajit tek vetja, por edhe për të vendosur Bayern nën presion. Goli i minutës së 45 nga Sancho e nëntë minuta pas rifillimit nga Reus e bënë të qartë se skuadra e Kovac nuk mund të humbiste.

Frikë që ndoshta edhe i shkoi nëpër mendje teknikut kroat kur Frankfurt barazoi rezultatin përmes Sebastian Haller. Gjithësesi ishte vetëm goli që shkundi bavarezët, që u përgjigjën me golat e David Alaba dhe Renato Sanches. Por kur një si Franck Ribery, që e kishte ndeshjen e fundit në Bundesligë me Bayern, shënon një gol të tillë, natyrisht që gjërat bëhen më të thjeshta. Francezi dhe Arjen Robben i dhanë lamtumirën bavarezëve dhe e bënë duke lënë shenjën e tyre me një gol për secilin, duke ndihmuar Bayern të renditet me 78 pikë, dy përpara Dortmund.

Niko Kovac mund të përfundojë sezonin me dy trofe, e gjithësesi të jetë trajneri ku klubi nuk ka besim për sezonin e ardhshëm. Në 25 maj Bayern do të luajë finalen e Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, kundër Red Bull Leipzig dhe Kovac pret një përgjigje tjetër nga lojtarët e tij, të paktën për ta bërë që edhe nëse largohet të mos ndihet i dështuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *