• |
ide | kryesore

Video/ Napoli turpëron Inter: Champions bëhet dramatike për zikaltrit

F1, Sport, Video



Napoli e ka mbyllur më shumë se bukur kampionatin në San Paolo, duke shkatërruar 4-1 një Inter zhgënjyes e që ka vënë në rrezik pozicionimin në zonën Champions. Skuadra e Ancelotti tregoi më shumë dëshirë, grintë, e vendosmëri. Fizikisht e mentalisht, në anën tjetër, të besuarit e Spalletti janë rrëzuar keq dhe duhet të shtrëngojnë radhët për të evituar dështimin (në rast të mungesës së fitores me Empoli, mund të kalohet nga Milan).

Napoli bëri presing lart për të evituar që Perisic e Politano të niseshin në shpejtësi, por avantazhi erdhi pas një gabimi në pasim të Asamoah në të 16’, finalizuar më pas nga Zielinski, që mposhti për herë të parë portierin më të mirë të sezonit. Inter vuajti goditjen dhe pavarësisht se Spalletti vendosi se ishte koha për Icardi, nuk arriti të ngrinte nivelin e lojës, por pësoi të dytin nga Mertens në të 61’, përpara se Ruiz të shënonte dy herë në shtatë minuta, duke kompletuar pokerin. Vetëm një penallti në fundin e lojës i dha shansin Icardi të fiksonte rezultatin në 4-1. Një gol që nuk e ngriti Inter, për të cilin 90 minutat e fundit rrezikojnë të bëhen dramatike.

Atalanta ndërkohë shkon një hap larg kualifikimit historik në Champions. Jo vetëm kaq, sepse për momentin është ende e treta në klasifikim, pas barazimit 1-1 në transfertë me Juventus. Kryevepra e Gasperini rezistoi edhe ndaj kampionëve të rinj, në një mbrëmje feste e lotësh në shtëpinë bardhezi. U festua titulli, u përshëndetën Max Allegri e Andrea Barzagli. Juventus e nisi mirë, por Cristiano Ronaldo humbi një nga rastet më të thjeshta që në minutën e parë. Atalanta nuk është se kishte ardhur për turizëm dhe Szczesny u vu në vështirësi nga Freuler, ndërsa Hateboer gjeti traversën nga fare pranë. Bergamaskët dominojnë me raste dhe Zapata shkoi pranë golit, ndërsa Ilicic e shënoi. Në minutën e 33′ në zhvillimet e një goditje këndi Ilicic nuk gaboi, duke e detyruar Allegri të provojë gjithcka, në fillim me Bernardeschi e pastaj me Mandzukic. E pikërisht kroati në të 80′ shënoi golin e barazimit në krosimin e Cuadrado. Atalanta duhet të bëjë një sforco të fundit kundër Sassuolo, për të mos lejuar rikuperimin e Milan, që duhet tia dalë në transfertë me Spal.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *