• |
ide | kryesore

Sukesesi i Marrëveshjes së Prespës dhe rreziku i nacionalizmit shqiptar në Ballkan

F1, Planet



Historia duhet të shërbejë si një mësojtore dhe jo si një burg, vëren Nikos Kotzias, diplomat race, që ka kryer detyrën e ish-ministrit të Jashtëm grek duke nisur nga shtatori i vitit 2015, deri kur u dorëhoq në tetor të vitit të kaluar. Për Ballkanin, të përçarë nga mosmarrëveshjet etnike, politike, fetare dhe territoriale që datojnë kahershëm, qëmtimi i Kotzias mund të konsiderohet si një propozim ambicioz. Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes lidhur me çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të hyjë në analet e historisë si një arritje paqendërtuese. Tek e fundit, pse duhet që kujtimet e dhimbshme të së shkuarës të zënë në çark qeveritë dhe shoqëritë ballkanike në një qerthull dyshimi dhe frike?

Marrëveshja e Prespës, marrë emrin nga liqeni që shtrihet në pikëtakimet e kufijve mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, hyri në fuqi më datë 12 shkurt. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, u porsaemërua “Maqedoni e Veriut”, një term ky që nuk nënkupton kurrëfarë pretendimi territorial në rajonin verior grek të quajtur me ekuivalentin e mëparshëm të shtetit fqinj. Nga ana e saj, Greqia njohu të drejtën e shumicës së popullsisë sllave të Maqedonisë së Veriut për të përdorur termin “maqedonas/e” për t’iu referuar gjuhës dhe kombësisë së tyre. Në këtë mënyrë, u gjet një përgjigje për trupëzimin e fundit të çështjes maqedonase – një burim periodik  i tensionit në këndin jugor të Ballkanit që prej fundit të shekullit të 19-të.

Kompromisi kërkoi kurajë të konsiderueshme politike prej Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, kryeministrave respektivë të Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut, meqënëse oponenca ndaj marrëveshjes ishte intensive në të dyja vendet. Në Greqi, polemikat çuan në dorëheqjen e ish-kryediplomatit Kotzias, i cili luajti një rol të dalluar në hartimin e ujdisë, që përçau koalicionin qeverisës të Tsipras-it. Çështja mbetet polarizuese edhe në klasën politike të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, Prespa është një traktat ndërkombëtar ligjërisht i detyrueshëm. E për rrjedhojë, rëndësia e tij shtrihet përtej dy shteteve që e nënshkruan atë.

Padyshim, marrëveshja e Prespës është arritja më e madhe diplomatike e perëndimit në Ballkan pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i dhanë fund luftës në Bosnjë në vitin 1995. Epoka tanimë përcaktohet nga tensionet midis SHBA-ve dhe aleatëve të saj evropianë, nga shqetësimet mbi demokracinë liberale, shtetin e të drejtës dhe stabilitetin politik në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe nga konkurrenca në Ballkan, në Mesdheun Lindor dhe në Detin e Zi midis fuqive perëndimore dhe kundrapalëve të lindjes: Kinës, Rusisë dhe Turqisë.

Prespa ngre shpresat e përparimit në trajtimin e sfidave të tjera rajonale, sidomos përsa i përket mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë, por edhe lidhur me rivalitetet etnike, bllokimit kushtetues në Bosnje-Hercegovinë dhe tensionimit të marrëdhënieve greko-shqiptare. Thënë këto,  “gjembat” e çdo problemi ballkanik, janë të mprehta dhe të dallueshme në mënyrën e vet.

Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, megjithëse është e lavdërueshme, nuk mund të jetë një shabllon për shërimin e konflikteve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Mosmarrëveshja ka lindur nga kolapsi i Jugosllavisë komuniste në vitin 1991. Megjithatë, ndryshe nga Bosnja dhe Kosova, grindjet nuk kanë ndërsyer një luftë. Në këtë rast, kishte mungesë të tensioneve ndërkomunale në qytete dhe fshatra, të cilat ishin ishin “ingredient” kryesor i konflikteve të zhvilliuara në Bosnje dhe në Kosovë.

Mosmarrëveshja për emrin ngriti pyetje serioze për mbivendosjen e pretendimeve ndaj simboleve dhe thelbit të identitetit kombëtar, të reflektuar përmes prizave të mitit historik, kulturës dhe luftës së politikës korente. Por, në thelb ishte një problem diplomatik që lipste një zgjidhje diplomatike. Për më tepër, marrëveshja e Prespës do të gjykohet pas kthjellimit të dyshimeve lidhur me stabilitetin afatgjatë të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Dhe që kjo të ndodhë, nevojiten të ndiqen me skrupolozitet tri hapat e mëposhtëm.

Së pari, Bashkimi Evropian duhet të hapë dyert për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. Idealisht, BE-ja do të nisë bisedimet e pranimit këtë vit me të dyja shtetet. Anëtarësimi në familjen e madhe evropiane do të ndërtohet mbi themelet që ngriti “Prespa”, duke e bërë të parëndësishëm kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ndodhi shumë kohë më parë me spektrin e mosmarrëveshjeve kufitare midis Francës dhe Gjermanisë. Ndërkohë, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë, duhet të frenojë tundimin e nacionalistëve në Tiranë dhe në Kosovë, për krijimin e një shteti me shumicë shqiptare etnike, që quhet ndryshe si “Shqipëria e Madhe”.

Së dyti, kundërshtarët grekë dhe maqedonas të “Prespës” nuk duhet të kërkojnë të diskreditojnë ose të shkatërrojnë marrëveshjen. “Demokracia e Re”, opozita e qendrës së djathtë e Greqisë, paraqitet e mirëpozicionuar për t’u kthyer në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që priten të mbahen në tetor. Me bazën e saj të konsiderueshme të votuese në veri të Greqisë, “Demokracia e Re” ka qenë kritike ndaj marrëveshjes së Prespës. Do të ishte më e udhës për Kyriakos Mitsotakis, udhëheqësin e partisë, që të përqafonte marrëveshjen dhe të ndihmonte në integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe në NATO, politika që janë padyshim edhe në interesin kombëtar të Greqisë.

 

 

Po kështu, është koha që kundërshtarët e skajit të djathtë ndaj kryeministrit Zaev t’i japin lamtumirën shovinizmit sllavo-maqedonas. Nacionalizmi i tyre bombastik dëmtoi shumë reputacionin e shtetit të ri nën sundimin 10-vjeçar (2006-16) të Nikolla Gruevski-t. Tani, Maqedonia e Veriut duhet të kultivojë një patriotizëm qytetar gjithëpërfshirës që mbron dhe madje rrit të drejtat e shqiptarëve të saj etnikë, të cilët përbëjnë të paktën 25 % të popullatës së saj.

Kjo çon në pikën e tretë. Çështja në zhvillim e sipër e Ballkanit jugor është nëse shqiptarët etnikë të rajonit do të jenë të kënaqur të mbeten të shpërndarë në tri shtete – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut – ose nëse disa apo të gjithë do të kërkojnë të bashkohen në “Shqipërinë e Madhe”. Çdo lëvizje e këtij lloji mbart një rrezik të lartë për përfshirjen e rajonit në luftime. Ndaj, politikanët shqiptarë në të tri komunitetet duhet të ushtrojnë vetëpërmbajtje.

Megjithatë, në këmbim, politikanët e BE-së dhe zyrtarët rajonalë të Ballkanit, duke përfshirë edhe ato në Shkup, duhet t’i sigurojnë të gjithë shqiptarët se aspiratat e tyre për prosperitet, të drejtat civile dhe integrimin evropian po marrin vëmendjen e duhur. Për këtë arsye, marrëveshja e Prespës do të jetë me gjasë garantja e mirëqenies dhe stabilitetit të Maqedonisë së Veriut.

Marrë nga Financial Times

Përshtati ©lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *