• |
ide | kryesore

FOTO/ Shqiptari që befasoi Holandën, mbolli kanabis në 87 ndërtesa

Lajme, Të fundit



Nga Rik van Hulst

Në vitin 2016, një agjent policor zbuloi rastësisht një plantacion kanabisi në një shtëpi në Heerlen. Ai vuri re se qiraja për pronën nuk paguhej nga një rezident shqiptar, por nga një kompani nga i njëjti vend. Një kompani, që ndër të tjera nxjerr targa njëditore për eksport, dhe e ka bazën në Geleen dhe në rajonet kufitare në Gjermani dhe Belgjikë. Tre drejtuesit e kompanisë- me origjinë marokene dhe banues në Belgjikë- u arrestuan të martën gjatë një operacioni në shkallë të gjerë me 200 oficerë policie. Po ashtu edhe një 34-vjeçar shqiptar. Ata akuzohen se kanë përdorur dokumente false, se kanë lehtësuar kultivimin e organizuar të kanabisit dhe se kanë pastruar para. Policia bastisi 22 godina në total.

Sipas policisë, kompania, e vendosur në Geelen, është qendra e një rrjeti kriminal që ka lehtësuar kultivimin e kanabisit në një shkallë të madhe. Një 34-vjeçar shqiptar mendohet se drejtonte rrjetin e mbizotëruar nga shqiptarët.

Ekipi i hetuesve tha se shqiptarët përdornin shpesh pasaporta greke dhe italiane të fasifikuara.

Drejtuesi i këtij ekipi hetimor, Ralfi* nga Limburgu tregon se si askush nuk e kuptoi se një rrjet droge i shqiptarëve po fitonte terren në shkallë të gjerë.

Goditje rastësore

Policia kishte goditur disa plantacione me kanabis gjatë viteve të fundit, por për një kohë të gjatë ata nuk e kuptuan se ato po lehtësoheshin nga një kompani me bazë në Geelen që prej vitit 2014. “Ne shkatërronim plantacione, por nuk hetonim. Nuk kishim as kohë dhe as kapacitete për këtë,”thotë shefi i hetimeve.

Operacioni i quajtur ‘Basalt’ nisi në fund të vitit 2018, dy vjet pas zbulimit aksidental nga oficeri i policisë. Ekipi hetimor zbuloi një të dhënë: Kompania kishte financuar në total 87 prona. Të martën policia bastisi 22 prej tyre.

Përdoruesit e këtyre vendeve ishin pothuajse të gjithë me shtetësi shqiptare, por përdornin dokumente të rema si grekë apo italianë. Policia dyshon se kompania duhej ta dinte për identitetet false. Mbetet e paqartë se kush i ofroi dokumentet. Detektivët thonë se falë kompanisë, shqiptarët mbetën nën radarin e policisë.

Ralfi thotë: “Kompania po ashtu kishte një shërbim pagese për shqiptarët, që nuk kishin llogari zyrtare në bankë. Ata nuk kishin leje për këtë shërbim pagesash. Por u deshën vite që banka të vinte re se shërbimi i pagesave ishte i parregullt”.

Garancitë hipotekore

Një pjesë e 87 pronave ishin blerë nga shqiptarët. Pronat e blera janë marrë pjesërisht pa hipotekë. “Shumë paguhej direkt nga Shqipëria. Sipas ligjit, transaksionet e pazakonta duhet të raportohen tek qeveria, në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Por hetimi tregoi se kjo nuk ndodh në shumicën e rasteve. Vetëm me një nga dhjetë noterë”.

Diçka interesante ndodhi me shtëpitë që u blenë me garanci hipotekore. “Blerësit në shumë raste kishin marrë deklarata nga punëdhënës prej restoranteve greke”. Policia nuk e di akoma se cili është roli i tyre. Pronat me qira u morën përmes dokumenteve të falsifikuara të identitetit. Asnjë prej pronarëve të këtyre ndërtesave nuk u alarmua kur e merrnin qiranë nga kompania e Geleen si ndërmjetësuese.

Konkluzioni i hetuesve është shqetësues: asnjë zile alarmi nuk ra askund. Kompanitë e energjisë nuk kontrolluan nëse klientët jetonin në adresat specifike, bashkia nuk kontrolloi nëse kishte njerëz që jetonin në banesat e regjistruara si ‘të pabanueshme’. Noterët dhe bankat nuk raportuan për transaksione të pazakonta, policia nuk shkoi më larg se plantacionet. Po ashtu është interesante se as shkollat në Geleen, ku shkonin fëmijët e paregjistruar të shqiptarëve, nuk e kishin kuptuar se adresat e ofruara ishin false. Ata nuk u surprizuan as kur pagesat e shkollës vinin nga kompania në Geleen, thotë Ralf. “Ky hetim tregon se ne jemi naivë, ky tip kriminaliteti mbeti i padukshëm prej vitesh”.

Rreziku i biznesit

Dhjetë plantacione me kanabis ishin pastruar gjatë një gjysmë viti. Megjithatë kjo nuk e pengoi kompaninë që të vazhdonte aktivitetin. “Ata e shohin si ‘risku i biznesit’. Mesatarisht një e korrur kanabisi jep dhjetëra mijëra euro. Një kilogram me kanabis kushton rreth 4 mijë euro dhe plantacioni përmban qindra bimë. Ka dhjetëra prona. Ata e pranojnë se një korrje mund të dështojë. Dhe personi i arrestuar zëvendësohet”.

Prokurori Peter Huttenhuis thotë se ky rrjet është tamam si një tekst mësimor për hetuesit. “Ata abuzojnë me shtetin tonë të mirëqenies sociale. Ky problem nuk zgjidhet brenda një jave”.

Ralf shton: “Grupet kriminale shqiptare kanë fituar një pikëmbështetje këtu. Një përbindësh në shumë drejtime. Mund t’ia presësh kokën, por për çdo 20 persona të arrestuar, vijnë 25 të tjerë në këmbim. Diçka duhet të ndryshojë në mënyrë strukturore. Duhet të sigurohemi që të bien zilet e alarmit”.

*Për shkak të pozicionit, detektivi Ralf nuk del me emrin e tij të vërtetë



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *