• |
ide | kryesore

Oliver Kahn: Bilanci i Kovac mund të jetë gjithçka, veçse jo i keq

Sport



Gjatë një interviste për DANZ dhe Goal, ish-portieri i Bayern Munich, Oliver Kahn, ka folur për ish-klubin e tij dhe sigurisht për zërat mbi largimin e Niko Kovac në fund të sezonit. Kahn ka përshëndetur edhe Arjen Robben dhe Frank Ribery, që do të largohen nga klubi pas finales së Kupës së Gjermanisë kundër RB Leipzig, të shtunën.

“Arjen Roben është një legjendë e Bayern. Ai ka shënuar shumë gola me peshë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen unike të klubit, shtatë tituj radhazi. Sigurisht, edhe në Ligën e Kampioneve në 2013-ën, mes shumë trofeve të tjerë”, vlerësoi Kahn.

“Frank Ribery ka ekzaktësisht të njëjta cilësi si Arjen Robben, por është pak më mirë teknikisht. mendoj se të dy do t’i mungojnë Bayern. Jo vetëm për cilësitë e tyre, por gjithashtu edhe si njerëz”, u shpreh ish-portieri i Gjermanisë.

Për sa i takon Kinglsey Koman dhe Gnabri, Kahn tha: “Është impresionuese të shikosh zhvillimin e Gnabry. Në fillim nuk binte shumë në sy dhe e arriti XI-en pak nga pak. E njëjta gjë edhe për Coman. Nëse keni përpara dy lojtarë si Ribery dhe Robben, nuk është gjithmonë e lehtë të afirmohesh. Tashmë kjo dyshe e re ka më shumë përgjegjësi, gjë e cila do t’i ndihmojë të rriten”.

Ndërsa lidhur me Niko Kovac, Kahn u shpreh: “Erdhi në një situatë shumë të vështirë. Për disa lojtarë si Ribery dhe Robben, kishte arritur njëfarë moshe. Ishte një Kupë Bote katastrofë për ekipin e Gjermanisë në Rusi, pas së cilës asnjë futbollist nuk e kishte mendjen te futbolli. Ka patur gjithashtu të dëmtuar dhe ndryshim trajneri. Një situatë e tillë nuk është e lehtë për t’u menaxhuar. Fakti që  ia doli të jetë kampion dhe që mundet gjithashtu të fitojë kupën mund të jetë gjithçka, por veçse jo i keq”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *