• |
ide | kryesore

Shtyhet gjyqi ndaj 3 gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion, biznesmeni u pagoi biletën e derbit Real Madrid-Barcelona

Lajme, Të fundit



Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj tre gjyqtarëve të Durrësit, Petraq Dhimitrit, Kliton Spahiut dhe Petrit Çenos, të cilët akuzohen për korrupsion së bashku me biznesmenin Namik Sadiku.

Shkak për shtyrjen e gjykimit është bërë mosgjetja në kohë e adresës së plotë të vendbanimit të gjyqtarit Dhimitri. Seanca e radhës u caktua më datë 5 qershor.

Trupa e 3 gjyqtarëve është pezulluar nga detyra me një vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas akuzave të ngritura nga Prokuroria se gjatë kohës që po shqyrtonin një dosje penale të biznesmenit Sadiku, kanë udhëtuar së bashku me të drejt Italisë dhe Spanjës, ku kanë ndjekur derbin Real Madrid-Barcelona. Ndërkaq, gjyqtari Çeno është shkarkuar pasi iu nënshtrua procesit të vetting-ut.

Dy prokurorët e çështjes, Klodian Braho dhe Arenc Çela, kanë evidentuar se gjyqtarët kanë patur komunikime të shpeshta telefonike me biznesmenin, ndërkohë që është e ndaluar të kenë kontakte me palët në gjykim për shkak të parimit të paanshmërisë.

Të katër të pandehurit po gjykohen në gjendje të lirë. Në seancën e sotme ishin të pranishëm gjyqtarët Spahiu dhe Çeno, si dhe biznesmeni Sadiku.

 

 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *