• |
ide | kryesore

Apeli i investitorëve të huaj: Zgjidhni krizën politike, po dëmtoni klimën e biznesit

Lajme, Të fundit



Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA)dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (IÇ), kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me aktualitetin politik në Shqipëri. Në deklaratë theksohet se pasiguria politike ka ndikuar drejtpërdrejt negativisht në klimën e biznesit dhe në ekonominë shqiptare.

Të tria përfaqësitë ligjore të interesave të biznesit në Shqipëri u bëjnë thirrje njëzëri partive politike që të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politiik, që ka penguar investimet e mundshme ndërkombëtare.

Deklarata e plotë:

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (IÇ) po ndjekin me shqetësim të thellë situatën aktuale politike në Shqipëri. Shumë nga anëtarët tanë kanë shprehur frustrim lidhur me pasigurinë politike që po ndikon drejpërdrejt negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare.

Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë. Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira – veçanërisht Qeveria dhe Opozita – të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet mes palëve politike janë rritur me afrimin e datës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Në dy ditët e fundit, kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha, kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me zgjidhjen e krizës, përmes disa letrave publike në drejtim të njëri-tjetrit. Rama ka kërkuar zhvillimin e një dialogu pa kushte, duke përjashtuar mundësinë e ndryshimit të qeverisë dhe të datës së zgjedhjeve lokale të parashikuara për t’u mbajtur më 30 qershor. Ndërsa, Basha është treguar i prerë duke refuzuar dialogun dhe duke përsëritur kërkesat e opozitës jashtëparlamentare për largimin e kryeministrit Rama dhe për krijimin e një qeverie tranzitore.

Ndërkaq, pak më parë, kreu i shtetit, Ilir Meta, i ka bërë thirrje ndaj klasës politike që të shkohet drejt një marrëveshjeje, duke shprehur gatishmërinë për rishikimin e datës së zgjedhjeve, si dhe për të ofruar mandatin e tij në dispozicion të zgjidhjes së krizës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *