• |
ide | kryesore

Real, rekord shpenzimesh: Hazard, Jovic, Pogba e një merkato prej 400 milionë euro

Sport



Për Real Madrid është i paimagjinueshëm një tjetër sezon shkatërrimtar si ai i sapo mbyllur. Nisur keq me Lopetegui, vazhduar edhe më keq me Solari e mbyllur çalë-çalë edhe me rikthimin e Zidane. Kërkohen përforcime e madje edhe vetë trajneri ishte i qartë: “Nëse nuk vendos në merkato më mirë të iki”. Por tani presidenti Florentino Perez duhet të bëjë llogaritë cfarë mund ti lejojë vetes në këtë sesion merkato. Rekordi i tij është në verën e 2009 me ardhjen e Cristiano Ronaldo, Benzema e Kakà: 254 milionë. Një shifër që këtë verë nuk do të mjaftojë për të marrë objektivat e fiksuar. Sipas llogarive duhet të vihen në dispozicion 300 deri në 400 milionë. Duken shumë, por Zidanë e konsideron minimumin e nuk ka ndërmend të heqë dorë.

Shpenzimet e kryera për momentin janë 95 milionë: 45 për sulmuesin brazilian Rodrigo i marrë nga Santos e 50 për mbrojtësin e qendrës Eder Militao, edhe ai brazilian, i marrë nga Porto. Jo zyrtarisht është blerë edhe sulmuesi serb Jovic nga Eintracht Frankfurt, për 60 milionë. Në këtë pikë arrihet kuota 155 e duhet blerë Eden Hazard. Chelsea kërkon 140 milionë, por Real është i sigurtë që zbret deri në 100, për ta rritur totalin e këtij blloku 255 milionë, 1 më shumë se rekordi. Por nuk ka mbaruar.

Zidane kërkon një mbrojtës të majtë, Ferland Mendy të Lyon, që vlerësohet 60 milionë nga klubi francez e 40 nga Florentino Perez. Një mesfushor pastaj është plotësisht i domosdoshëm për rithemelimin e merengues: zgjedhja e parë është Pogba, që vlen të paktën 120 milionë, e dyta është Eriksen që kushton vetëm 20 më pak.

Kështu me llogarinë e thjeshtë kalohet lehtësisht barriera e 400 milionëve, pa llogaritur ëndërrën për një sulmues super të kushtueshëm si Neymar e Mbappé, që vlerësohen mbi 200 milionë secili. Për ta përballuar Real duhet të nisë shitjet dhe nga ato të kushtueshmet. Florentino mendon të arkëtojë me Bale e Isco, por shitja e tyre nuk është e thjeshtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *