Lideri i Partisë Social-Demokratike dhe njëherësh kryeparlamentari i Rumanisë, Liviu Dragnea, është dënuar për shpërdorim detyre me 3.5 vjet burgim me një vendim të formës së prerë të Gjykatës Supreme.
Në ngarkim të Dragnea-s ka gjithashtu një dënim të mëparshëm për manipulim votash. Kreu i Dhomës së Ulët në legjislativin rumun, apeloi vitin e kaluar vendimin fillestar të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ditën e sotme, pritej që zyrtari të merrej nga forcat poliore për t’u dërguar në paraburgim.
Rumania renditet nga Transparency International si një nga anëtaret më të korruptuara të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Përgjatë dy vjetëve të fundit, në Rumani janë zhvilluar protesta pothuaj periodike kundër përpjekjeve të klasës politike për të dekriminalizuar disa vepra të korrupsionit dhe për të dobësuar gjyqësorin.