• |
ide | kryesore

Thaçi: Mungesa e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë pasoja për rajonin

Lajme



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan. Sipas një njoftimi, presidenti Thaçi e ka falenderuar zëvendëspresidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë, si dhe për forcimin e strukturave të sigurisë.
“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Bëhet e ditur se kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan kanë biseduar edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë–Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.
“Mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antievropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson ka rikonfirmuar angazhimin e Atlantic Council për Kosovën. Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *