• |
ide | kryesore

Aksioni në veri të Kosovës, Thaçi: Këtu nuk ka vend për krimin e organizuar

Lajme, Planet



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur në një mbledhje urgjente krerët e strukturave të sigurisë në Kosovë, pas tensionit që u krijua prej aksionit policor të realizuar mëngjesin e sotëm në veri të vendit. Më herët, Thaçi ka reaguar lidhur me ngjarjen përmes një postimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, ku shkruan se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përkrahje në  luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.

“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt! Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave.

Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrahë luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike! HTH.”- shkruan Thaçi.

Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar mbi 30 zyrtarë policie të kombësisë serbe, të cilët dyshohen si persona të përfshirë në rrjete të krimit të organizuar, si edhe për kundravajtje penale për veprat: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Ndërkaq, gjatë aksionit raportohet se janë plagosur dy efektivë. Aktualisht, në veri të Kosovës ka një prezencë të lartë të forcave policore dhe gjendja vijon të mbetet e tensionuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *