• |
ide | kryesore

Humbja e thellë në zgjedhjet europiane, Di Maio i gatshëm të sakrifikojë mandatin

Planet



Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet evropiane, lideri i Lëvizjes antisistem “Cinque Stelle”, Luigi di Maio, ka deklaruar se do të vinte në dispozicion për votimin në Asamblenë e kësaj force politike mandatin e tij si kryetar . “Para çdo vendimi, unë dua të dëgjoj zërin e qytetarëve që më votuan si lider politik disa vite më parë.”- ka shkruar ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe i Politikave Sociale në faqen zyrtare në internet të lëvizjes së populistëve të majtë.

“Cinque Stelle”-t pësuan një humbje të thellë në zgjedhjet për Parlamentin Europian që u mbajtën të dielën e fundit, duke fituar më pak se 18 % të votave të elektoratit italian. Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018, populistët e Di Maio-s kryesuan si forca e parë politike me mbi 32 % të votave. “Do të jetë L5Y në tërësinë e saj që do të vendosë. Nëse partia më rinovon besimin, ne do të nisim nga puna, dhe unë personalisht me më shumë angazhime dhe devocion. Pyetja që do të parashtrohet do të jetë: A e konfirmoni Luigi Di Maio si lider politik të L5Y-së.”- përmbyll shkrimin e tij Di Maio.

Sikundër parashikonin sondazhet e opinionit publik, partia “Lega” e drejtuar nga zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, triumfoi në zgjedhjet europiane me më shumë se 34.3 % të votave, që përllogaritet si dyfishi i votave të grumbulluara në parlamentaret e marsit të 2018-s.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *