• |
ide | kryesore

Kuvend/ Shikoni si Rama justifikon shpenzimin e çerek miliardi eurove për 30 km rrugë

Arkiva, Lajme, Të fundit

Akuzave të bëra lidhur me shifrën rekord të dhënë për dy rrugë 30 km, me një shumë prej 260 milionë euro, Edi Rama i dha sot përgjigje nga foltorja e Kuvendit.

Rama ka sqaruar pse është kostoja në fjalë aq, duke theksuar se rrugët janë të standardit A, me vepra brenda dhe me 13 vjet kostoje mirëmbajtje në kontratë.

Rama në Kuvend: 

“Është e paimagjinueshme që km e rrugëve të trajtohen si metra teritali, shet e blen terital dhe ndryshon çmimi sipas madhësisë së kostumit, por për km rrugë duhet të shohin cfarë ka në ato km. Nuk i bihet shkurt e të thuash si ka mundësi për 17 km rrugë kaq shumë para. Dhe ja si ka mundësi, së pari njëherë ne e kemi thënë: sapo të mbyllim rrugët e lëna rrugëve do bëjnë rrugë të standardeve evropiane, të dyja rrugët që do të ndërtohen janë standardi A. Rrugë të tillë kemi vetëm një pjesë të rrugës së Kombit.

Rruga Milot-Balldren ka dy tunele, dy ura, atë mbi Drin me 224 metra hapësirë drite dhe mbi Mat me 624 metra mbi hapësirë drite, 6 nyje mbikalime dhe nënkalime, dhe duke qenë rrugë e standardit A do të jenë një rrugë ku nuk do të bashkëjetojnë automjetet me bagetitë dhe ku nuk do të lejohet transformimi i rrugës në korridor mes pishinash, magazinash, trampolinash, varreza makinash e me radhë.

Në atë shumë ka 13 vjet mirëmbajtje, rruga e Kombit kushtoi mbi 1 miliardë dhe nuk ka mbaruar akoma, kërkon para, së dyti nuk përmbush standardin A në gjithë gjatësinë e vet dhe së treti nuk është se garanton atë që ne u detyruam ta bëjmë me vendosjen e pagesës, mirëmbajtjen, ndërsa në këto kontrata kemi mirëmbajtjen për 13 vjet. cdo gjë është në përgjegjësinë e kompanive.

E fundit, janë kompanitë që investojnë kapitalin e tyre dhe shteti paguan vit pa viti, nuk janë para që jepen menjëherë.” 

Shifrat marramendëse që do paguajnë shqiptarët për projektet e qeverisë Rama: 

Për 13 vite, buxheti i shtetit do të marrë nga taksat tona 213 milionë euro për ndërtimin e një segmenti rrugor prej 17 kilometrash nga Miloti në Balldren.

Për 13 vite, buxheti i shtetit do të marrë nga xhepat e qytetarëve dhe do të paguajë rreth 50 milionë euro për ndërtimin e 13 kilometrave rrugë nga Porti i Orikumit deri në Dukat, pa nisur ngjitja në Llogara.

Të dy këto projekte janë PPP të miratuara nga qeveria shqiptare, që presin votën e deputetëve në Parlament. Segmenti i parë është fituar nga kompania “ANK”, ndërsa i dyti nga kompania “Gjikuria”.

Sipas PPP-ve, të dyja firmat do të kryejnë edhe ndërtimin e rrugës, edhe mirëmbajtjen e saj. Shifra rekord për qytetarët më të varfër të Europës. Një kilometër rrugë në segmentin 17 km nga Miloti në Balldren, do të kushtojë rreth 15 milionë euro (bashkë me taksat).

Ndërsa një kilometër rrugë në segmentin nga Orikumi në Dukat do të kushtojë rreth 4.6 milionë euro. Kjo, bashkë me koston e kredive që do të marrin firmat nën garancinë e qeverisë për të ndërtuar dy rrugë. Pra, në total qeveria po shpenzon rreth 260 milionë euro për ndërtimin e dy rrugëve periferike, njëra 17 kilometra dhe tjetra 13 kilometra. Duhet të ndihemi me fat, se qeveria i kishte të gjitha mundësitë që të zbukuronte edhe me pisha dy anët e rrugëve të reja.

MILOT-BALLDREN

Sipas dokumenteve, “gjatësia e autostradës Milot-Balldren është 17.263,75 km, duke përfshirë rrugën automobilistike kryesore dhe tunelin përkatësisht me këto gjatësi: Rrugë automobilistike kryesore 15 km + 570.35m. Tuneli, me gjatësi 850 m. Ura e Matit, me gjatësi 620m. Ura e Drinit, me gjatësi 223.4 m”. Tuneli, që duket si pjesa që mund të justifikojë shpenzimin marramendës, nuk kushton më shumë se 10 për qind e totalit të rrugës. Në relacionin që u ka shkuar deputetëve thuhet se vlera totale “për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës është 213,665,040 euro, plus TVSH-në”.

Pra, firma jo vetëm do e ndërtojë rrugën me çmimin marramendës, por edhe do e mirëmbajë rrugën që ka ndërtuar vetë. Sigurisht, me një pagesë tjetër prej rreth 20 milionë eurosh. Për të bërë të qartë diferencën, në Kosovë sapo u inaugurua autostrada e re 60 kilometra, që lidh Prishtinën me Maqedoninë. Autostrada ka nja 13 ura me një gjatësi prej 7 kilometrash, një rekord më vete. E gjithë autostrada është tenderuar për rreth 600 milionë euro, ose 10 milionë euro për kilometër.

Ndërsa në Shqipëri, në një terren fushor që lidh Milotin me Balldrenin, qeveria do të shpenzojë 15 milionë euro për një kilometër. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka asnjë justifikim të bindshëm, që të angazhojë një shumë të tillë marramendëse parash për një segment rrugor prej 17 kilometrash, që bashkon dy zgjatime fundore rrugësh. Si do jetë skema e financimit? “ANK” parashikon të marrë një kredi prej 70 milionë eurosh nga bankat e nivelit të dytë. Do përdorë paratë e furnitorëve në një vlerë prej rreth 19 milionë eurosh dhe do të investojë nga kapitali i saj një shumë rekord prej mbi 50 milionë eurosh. Pjesa tjetër e shumës, janë 20 milionë eurot e mirëmbajtjes pas ndërtimit dhe interesat e parave, që për 13 vite do të paguhen nga shteti.

ORIKUM-DUKAT

Një tjetër kontratë PPP është negociuar dhe firmosur nga qeveria. Ajo është kontrata për rrugën OrikumDukat. Kjo e dyta nuk është as autostradë, por me dy kalime. Rruga është fituar nga firma “Gjikuria”. Kjo e fundit do të ndërtojë rrugën me një fond prej 43 milionë eurosh. Do e mirëmbajë me një kosto prej 7 milionë eurosh. Në total, sipas kontratës, bashkë me interesat bankare do të paguhen rreth 70 milionë euro për 13 vjet.

Edhe këtu një tjetër shifër rekord prej rreth 5 milionë eurosh për një kilometër rrugë. Bëhet fjalë për pjesë fushore të rrugës, pa filluar ngjitja në Llogara. Edhe në këtë rast, sipas dokumenteve 25 milionë euro do merren nga bankat si kredi dhe 15 milionë euro do t’i investojë firma nga kapitali i saj. Interesat e kredive do të paguhen nga qeveria për 13 vite.

©Lapsi.al 

6 Comments

  1. FAKTET PER ABUZIME NGA TE KATER ANET NUK KANE TE SOSUR . KY PALLOSHI NUK DON TJA DIJE , ATEHERE VETEM REVOLUCIONI I BENE DEMAN KETIJ VENDI .

  2. z.Basha nese nuk i paralajmeron sot per denimet qe i pret ne rast zbatimi te ketyre projekteve maxikorruptive dhe denimin kur te jeshe ne pushtet nese keto zbatohen , harram te qofte qumshti i nones .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu