• |
ide | kryesore

“Klimë e qetë dhe optimizëm”: kështu kuqezinjtë shkojnë drejt Islandës

Sport



Kombëtarja kuqezi ka mbyllur përgatitjet në Frankfurt dhe është gati për transfertën me Islandën, ku do të bëjë debutimin Edy Reja në pankinë. Ajo që italiani ka bërë në radhë të parë është kthimi i qetësisë në skuadër dhe një klimë optimiste brenda dhomave të zhveshjes. Kjo dëshmohet edhe nga Etrit Berisha dhe Ergys Kace në konferencën për shtyp, ku kuqezinjtë kanë besim në një rezultat pozitiv për të hapur cështjen kualifikim. “Atmosfera mund të them, që është e mirë – shpjegoi portieri i Atlantës, që duhet të jetë titullar kundër Islandës në mungesë të Strakoshës -. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë, do të hapte shpresat për kualifikim”.

Të njëjtën linjë ka ruajtur edhe Kace, që me Reja synon të fitojë vende në hierarki, të humbura gjatë kohës kur kombëtarja drejtohej nga Panucci: “Sa herë vjen një trajner i ri, lojtarët japin maksimumin se duan të luajnë. Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati për ndeshjen. Për tre ditë besoj se do të jemi gati”.

Islanda është kundërshtari direct në letër dhe pas humbjes me Turqinë, të besuarit e Rejas kërkojnë të futen në lojë, me një fitore në Rekjavik. Ishullorët janë një skuadër solide dhe me kualitet, por kjo nuk ul dozën e optimizmit, për të dalë nga dy ndeshjet e qershorit me pikë të plota.

“Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit – shtoi Berisha -. Do mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi kualitetet e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda përveç lojës në ajër ka dhe kualitete të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë..

Kace nuk heziton të mendojë fitoren: “E dimë që Islanda është ekip i fortë dhe ka lojtarë të mirë. Por edhe ne kemi. Po të japim maksimumin, besoj se fitojmë. Sigurisht po të luajmë si skuadër’.

Kuqezinjtë kanë përfunduar stërvitjet në Gjermani dhe të enjten do të nisen drejt Islandës, ku në 8 qershor do të luajnë ndeshjen delicate, përpara se të zbresin përpara publikut të shtëpisë në Elbasan Arena për ndeshjen e 11 qershorit kundër Moldavisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *