• |
ide | kryesore

Profil i familjes Avdylaj/ Të fortët e Shijakut, drejtues të ‘superorganizatës’ së trafikut dhe manipuluesit e zgjedhjeve

Lajme, Të fundit



Sot tabloidi gjerman Bild publikoi 6 audio-përgjime që implikojnë zyrtarë të lartë të PS, përfshi vetë Vangjush Dakon, në manipulim të zgjedhjeve. Personi në qendër të çdo përgjimi është kreu i bandës së Avdylajve të Shijakut, Astrit Avdyli.

E plotë/ Të gjitha përgjimet Dako-Avdylaj për vjedhjen e zgjedhjeve 

Përgjimet e Bild/ Kush janë zyrtarët e PS të kapur në pazare me Avdylajt (EMRAT) 

Por kush është Astrit Avdyli?

Operacioni masiv i tetorit 2018 “Vol-Vo 4” vuri 44 persona në bankën e të pandehurve. Në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, me 44 urdhër-arreste rezultoi se ekzistonin lidhje mes disa organizatave kriminale më në zë në vend të shtrira nga Jugu në Veri. Rezultoi se qendra e trafikut të Kokainës dhe Heroinës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian ishte në Shijak e Maminas, ndërsa për kanabisin ishin të angazhuara dhe organizatat e tjera kriminale. Në dokumentet ekskluzive, Prokuroria pati ndërtuar lidhje mes organizatës kriminale të Avdylajve në Shijak, Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë.

Sipas Prokurorisë në krye të kësaj superorganizate ishte Astrit Avdyli i njohur edhe si Astrit Balliu dhe merreshin me trafikun e sasive të mëdha droge nga Shqipëria drejt Italisë e më pas drejt vendeve të BE-së. Pjesë e kësaj organizate, thekson prokuroria janë edhe personazhe të tjerë të njohur të botës së krimit si Safet Bajri, Astmer Bilali, Astrit Keçi, Gerald Keçi, Gjevi Ndoka e Danjan Ndoka. Kjo dosje ka filluar të ndërtohet në dhjetor 2016, ku në Kavajë janë arrestuar shtetasit Ramadan Shabani, Enerd Duka, Marjus Xhihani etj, persona këta tashmë të dënuar nga gjykata e Kavajës.

Fillimet e rrugës kriminale të Avdylajve 

Mbrëmjen e 22 tetorit 2018 u arrestuan vëllezërit Avdyli në Shijak së bashku me 20 persona të tjerë, ndërsa në kërkim është edhe Lul Berisha, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit. Vëllezërit Avdyli akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra penale.

Por si nis rruga kriminale e Avdylajve? Në vitin 1996 vritet me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit kokës së bandës. Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.

Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. (lexo më poshtë daljen e parakohshme të Astrit Avdylit nga burgu.) Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.

Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.

Ndërsa Flamur Avdyli prej vitit 1996 ka emigruar në Gjermani ku dyshohet se është përfshirë në trafikun e heroinës së bashku me vëllezërit e tij.

Dalja para kohe nga burgu 

VOA dhe BIRN bënë një investigim rrënjësor të dosjes 339 në janar të këtij viti. Një nga pjesët e investigimit fokusohet tek një nga kapot e grupit Avdylaj, i cili u lirua nga burgu, ku ishte për vrasje para se të mbaronte dënimin. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. 

Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45-vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. 

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt. Dosja 339 zbuloi përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

©Lapsi.al 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *