• |
ide | kryesore

Vizita në Gjermani, Haradinaj këmbëngul: Marrëveshje me Serbinë vetëm në kufijtë ekzistues

Planet



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar nga vizita zyrtare që po zhvillon në Berlin, se përsa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Serbinë, përkrah arritjen e një ujdie që do të përfundojë me njohjen reciproke të vendeve, pa prekur kufijtë e tyre ekzistues.

“Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro-dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, ka shkruar Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”.

Ashtu sikurse ka deklaruar Haradinaj, takimi ka për qëllim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Në agjendën e vizitës është parashikuar që numri një i ekzekutivit të Kosovës do të takojë kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryetarin e Bundestagut, Wolfang Schauble. “Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, është shprehur Haradinaj për mediat në paraprirje të vizitës së tij në Gjermani.

Sipas një artikulli të publikuar nga prestigjozja gjermane “Deutche Welle”,  Merkel do të shtrojë në tryezën e bisedimeve çështjen taksës prej 100 % ndaj mallrave me origjinë serbe, për t’i kërkuar Haradinajt pezullimin e kësaj mase me synim normalizimin e marrëdhënieve dhe rivendosjen e dialogut me Serbinë.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Haradinaj ka shprehur në vazhdimësi vendosmërinë për mbajtjen në fuqi të taksës deri në njohjen reciproke me Serbinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *