• |
ide | kryesore

I kënaqur, por jo dhe aq: Reja premton ndryshime

F1, Sport



Nuk ka kohë për të humbur, sepse tre ditë pas humbjes në Islandë në Elbasan Arena mbërrin Moldavia, një kundërshtar që kuqezinjtë kërkojnë ta lënë pas. Intensiteti i ndeshjeve, megjithatë, nuk e ka bërë teknikun të mos i kthehet analizës, mbi atë cfarë prodhuan lojtarët e tij në Rekjavik dhe pikat që duhen përmirësuar, duke filluar nga sfida e të martës: “Grupi duhet të ngrihet nga goditja morale – tha Reja në konferencë për shtyp – sepse nuk është e lehtë të humbasësh një ndeshje të luajtur si ajo me Islandën. Kemi bërë një prezantim të mirë, djemtë kanë punuar fort, por duhet të jemi më konkretë dhe të finalizojmë mundësitë që na paraqiten”

Islandezët janë vërtetë një skuadër fizike, por mund të ishin vënë në vështirësi nga një lëvizje më e madhe pa top. 73 vjecari është i kënaqur nga mënyra e presingut lart të kuqezinjve, që si e thekson reja nuk e kishin aplikuar kurrë më parë në këtë nivel: “Jemi një grup në rritje dhe jam i kënaqur nga mënyra se si aplikuan një mënyrë të re të luajturi. Duhet të përmirësojmë lëvizjen pa top, por është e sigurtë se kemi bërë shumë mirë në presingun lart, ashtu si rrallë herë e kam parë Shqipërinë ta bëjë”

Shqipërisë i ka munguar mbi të gjitha aftësia për tu infiltuar mes linjave të Ledian Memushaj, apo soliditeti difensiv i një qendërmbrojtësi si Gjimshiti, që me Atalantën ka bërë një sezon impresionues. E në pritje të tyre, duke parë edhe konsumin fizik të mesfushës kundër Islandës, tekniku ka ndërmend të bëjë ndryshime në skuadër.
“Kam edhe 24 orë kohë për të bërë vlerësimet. Është e sigurtë se dicka do të ndryshoj, por më parë duhet të flas me lojtarët. Ndoshta do të bëhen 3-4 zëvendësime, sepse lojtarët kanë shpenzuar shumë dhe kush luan duhet të jetë në 100%. Në sulm dhe në mesfushë do të bëj ndryshime” pranoi Reja.

Kuqezinjtë pasi kanë humbur në debutimin e kualifikueseve me Turqinë, që I kushtoi pankinën Christian Panucci, fituan në Andorra, përpara se Edy Reja të debutonte me humbje në Rekjavik. Pikërisht për të lënë pas moldavët, me tre pikë sa edhe Shqipëria, Reja shpreson ti gëzohet fitores së parë në këto eleminatore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *