• |
ide | kryesore

“Tensioni në Shqipëri po prek majat”, deputetja e “Forza Italia”: Qeveria italiane të reagojë urgjentisht

Lajme



Deputetja e Partisë italiane “Forza Italia”, Erica Mazzetti, i ka kërkuar qeverisë së drejtuar nga koalicioni mes “Lega”-s së Matteo Salvini-t dhe Lëvizjes “Cinque Stelle” të Luigi di Maio-s, që të mbajë një qendrim urgjent për krizën politike në Shqipëri, që sipas saj po arrin majat.

Në një deklaratë, deputetja thekson se Shqipëria është në mes të një krize të thellë institucionale, teksa kryeministri Edi Rama ka paralajmërouar shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Mazzeti i bën thirrje ekzekutivit italian për një reagim të menjëhershëm, në mbrojtje të shtetasve të shumtë italianë që janë zhvendosur për të jetuar në Shqipëri, ku kanë themeluar edhe sipërmarrjet e tyre.

Deklarata e plotë e deputetes italiane:

Shqipëria është në mes të një krize të thellë institucionale, siç raportohet edhe nga të gjitha mediat. Kryeministri Edi Rama po kërkon të shkarkojë presidentin Meta, menjëherë sapo ky i fundit mori vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale, të cilat ishin në prag.

Ai e përkufizoi vendimin e presidentit si një vetëvrasje. Më herët, lideri i opozitës, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike (anëtare e PPE), hoqi dorë nga mandati i deputetit, së bashku me të gjithë kolegët e partisë së tij, duke theksuar lidhjet e vazhdueshme ndër vite mes Ramës dhe lordëve të drogës, që eksportojnë pandërprerë drogë drejt Italisë. Basha e cilësoi në media kërcënimin e Ramës për shkarkimin e presidentit si një blof.

Tensioni në Shqipëri ka prekur majat. Kujtoj se janë të shumtë italianët që kanë kapërcyer Adriatikun dhe kane themeluar atje sipërmarrjet e tyre. Pra, është urgjente reagimi i qeverisë italiane, ne mbrojtje të qytetarëve tanë atje.

Lajmet politike që vijnë nga Shqipëria nuk mund të konsiderohen një kronikë e largët për ne. T’i kthejmë shpinën këtij realiteti do te ishte një sinjal i dobësisë së politikës tonë të jashtme.

Nga Shqipëria po na vjen një kërkesë e thekshme për ligjshmëri. Italia duhet t’u përgjigjet gjithmonë “këtu” këtyre kërkesave për ndihmë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *