• |
ide | kryesore

Gara mes konservatorëve në Britani, Boris Johnson premton: Nuk do ketë shtyrje të mëtejshme të Brexit-it

Planet



Boris Johnson, kandidati më favorit në garën për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore dhe për të pasuar Theresa May-in në postin e kryeministres së Britanisë së Madhe, ka deklaruar në nisje të fushatës së tij se procesi i çanëtarësimit të vendit nga Bashkimi Evropian (Brexit) nuk duhet të shtyhet sërish. Johnson këmbëngul se Brexit duhet të realizohet më datë 31 tetor, në afatin kohor të ripërcaktuar nga Brukseli, sepse në të kundërt vëren ish-Sekretari i Jashtëm, çdo zvarritje do të nënkuptonte një disfatë për partinë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Fushata ka nisur sot edhe për Sekretarin e Brendshëm, Sajid Javid, i cili ka premtuar se do të sjellë një frymë të re në radhët e konservatorëve, duke minuar ndasitë e thella që kanë shkaktuar përpjekjet e dështura të May-it për të arritur mbështetjen e nevojshme nga deputetët mbi marrëveshjen e largimit të vendit nga BE-ja.

Kryeministrja në ikje e Britanisë së Madhe, Theresa May, njoftoi një javë më parë dorëheqjen nga posti drejtues i ekzekutivit, si edhe nga kreu i konservatorëve. Megjithatë, May do të vijojë të shërbejë si kryeministre deri më datë 22 korrik, pasi të djathët duhet të zhvillojnë një proces të gjatë për të përzgjedhur mes kandidatëve pasuesin e saj.

8 deputetët e tjerë konservatorë që kanë shpallur kandidaturën e tyre në garën për të marrë drejtimin e partisë, janë: Andrea Leadsom, Drejtuese e Dhomës së Përfaqësuesve; Michael Gove-in, Sekretar për Mjedisin; Boris Johnson, ish-Sekretar për Politikën e Jashtme; Jeremy Hunt, Sekretar për Politikën e Jashtme; Dominic Raab, Sekretar për Brexit; Rory Steëart, Sekretar shteti për Zhvillimin Ndërkombëtar; Sajid Javid, Sekretar për Punët e Brendshme; Matt Hancock, Sekretar i Shëndetësisë; Esther McVey, ish-Sekretare për Punën dhe Pensionet dhe Mark Harper, ish-Sekretar shteti për Emigracionin.

Çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga të paktën tetë deputetë. Më 13 qershor do të zhvillohet raundi i parë i votimit, ku do të skualifikohet kandidati që merr më pak vota.

Më 18 qershor do të zhvillohet raundi i dytë i votimit kur do të eleminohet kandidati ose kandidatët që marrin më pak se 10% të mbështetjes. Më 19 dhe 20 qershor, Partia Konservatore do të mbajë votime deri sa në garë të mbeten vetëm dy kandidatë.

Ndërsa, më datë 22 qershor është parashikuar që konservatorët të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *