• |
ide | kryesore

Stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë, Shoqata e gjyqtarëve: Nga vonesat në gjykim përfitojnë kriminelët

Lajme



Shoqata e gjyqtarëve ka bërë thirje për përshpejtimin e procedurave për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, e cila prej kohësh nuk funksionon me kapacitet të plotë të gjyqtarëve. Gjyqtari Erion Bani, paralajmëron se në këto rrethana, jo vetëm që zgjidhja e çështjeve gjyqësore të qytetarëve do të zvarritet, por shumë të dënuar do të mund të fitojnë lirinë.

Në kategorinë e parë të përfituesve përfshihen shtetasit e huaj që janë në pritje të ekstradimit. Më tej, radhiten ata të paraburgosur për të cilët gjykatat e rretheve apo Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencën dhe presin vendimet e Gjykatës së Lartë. “Nga këto raste, Gjykata e Lartë nuk mund të marrë një afat përfundimtar. Pasi kalojnë afatet, revokohen masat”, thotë Bani.

Për këto arsye, gjyqtari Bani shprehet në përkrahje të zbatimit të sugjerimit të misionit “EURALIUS”, i cili propozoi zgjidhjen provizore situatës përmes transferimit të përkohshëm të anëtarëve të gjykatave më të ulëta. Për zgjidhjen e çështjeve emergjente nevojiten 6 gjyqtarë të lartë derisa Këshilli i Lartë Gjyqësor të shpallë hapjen e garës. “Është e nevojshme që KLGJ të gjejë zgjidhje. Neni 46 e zgjidh, bëhet fjalë për transferime të përkohshme të gjyqtarëve që plotësojnë kushtet”, u shpreh Bani.

Kjo zgjidhje propozohet vetëm për dosjet urgjente penale, ndërkohë që stoku i çështjeve të pagjykuara ka arritur në 32 mijë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *