• |
ide | kryesore

Partizani prezanton Franco Lerda: tekniku preferon skemën e Rejas, por është mjeshtër i shkarkimeve në… Serie B

F1, Sport



Franco Lerda është prezantuar paradite si trajneri i ri i Partizanit, për të zëvendësuar Skënder Gegën, që dha dorëheqjen pasi e drejtoi skuadrën drejt titullit kampion. Nuk është se nuk dihej se cili do të merrte drejtimin e të kuqve, por cështja është se edhe vetëm fakti i një titulli pas 26 vjetësh e ka vënë nën presion menjëherë italianin, për të arritur rezultate në pankinën kryeqytetase: “Fakti që vij në një ekip që mban petkun e kampionit më bën të ndihem krenar. Secili ka mënyrën e tij të punës, por ajo që unë mund t’iu siguroj është që Partizani do të vijojë të jetë në vendet e para dhe të fitojë tituj. Doja të përgëzoja trajnerin e mëparshëm, pasi e ktheu te titullin kampion ekipin pas shumë vitesh”.

Natyrisht lëvizja e parë është përgatitja e grupit që do të ketë në dipozicion për prezantimin në Champions League: “Objektivi parësor është që të përgatisim skuadrën të jetë sa më e gatshme për eliminatoret e Champions League. Përtej objektivit të parë, ato që kam diskutuar me Ramën dhe me Demin është që ekipi të jetë gjithmonë në rritje dhe në nivele europiane siç edhe ne synojmë”.

Kush është Franco Lerda, njeriu punëtor dhe besnik i 3-5-2

“Me punë, çdo gjë do të bazohet në punë. Në jetë nuk ka gjëra të lehta” frazë që i përshtatet shumë filozofisë së trajnerit 51 vjecar që do të udhëheqë kryeqytetasit, duke u bërë i katërti përtej Adriatikut, pas Gori, Agostinelli, Sormani e Juliano. Në 2007 Lerda debutoi në futbollin profesionist si trajner i Pescara dhe pasi drejtoi disa klube në divizione të ulëta, në qershor 2010, u bë trajneri i Torinos.

Pak muaj lavdi, sepse në 9 Mars 2011 u shkarkua nga bordi i klubit, duke u zëvendësuar nga Giuseppe Papadopulo. Nuk është se gjërat ndryshuan dhe 11 ditë më pas Papadopulo u shkarkua dhe Lerda u kthye në pankinën granada. Një kthim provizor sepse në 29 Maj 2011 u shkarkua edhe një herë duke qenë se klubi dështoi të siguronte një vend në playoff të Serie A.

Në qershor 2012 Lerda u bë trajneri i ri i Lecce. Në 21 Janar 2013, pas humbjes 3-1 kundër San Marino, u shkarkua, pavarësisht se skuadra ishte në vend të dytë në Lega Pro Prima Divisione. U rizgjodh në krye të Lecce në 24 shtator 2013, pas largimit të Francesco Moriero, duke qendruar në detyrë deri në 27 dhjetor 2014 i zëvendësuar nga Dino Pagliari. Në 15 Mars 2016 u caktua trajneri i Vicenza në Serie A, por mbijetoi vetëm 7 muaj dhe në u kthye në pankinë vetëm në 26 Mars 2018, përsëri tek Vicenza, por këtë herë në Serie C.

Lerda preferon 3-5-2 dhe e ka përdorur në të gjitha skuadrat ku është ulur në pankinë, madje edhe blerja e Cordeira Melo tek Partizani, është një sugjerim i italianit, për të patur garanci të një lojtari ideal për lojën në krahë. E megjithatë Lerda nuk kërkon të zbilancohet: “Nuk është diçka që mund të diskutohet tani, pasi në bazë të lojtarëve do të vendosim për modulin dhe skemën që do të luajmë” përfundoi tekniku.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *