• |
ide | kryesore

Ventspils, të akuzuarit për trukim, kthehen të luajnë në Shqipëri: Teuta është e paralajmëruar

F1, Sport



Do të kishin dashur një kundërshtar më të përballueshëm se letonezët e Ventspils, por shorti i ka vënë përballë Teutës skuadrën që sezonin e kaluar shkatërroi Luftëtarin në raundin e parë të Europë League dhe jo rastësisht u përfshi në hetimin e UEFA-s për trukim rezultati, bashkë me klubi gjirokastrit.

Pas dy ndeshjeve të korrikut të vitit të kaluar, institucioni që drejton futbollin continental u vu në lëvizje me hetimin e përballjeve mes letonezëve dhe bluezinjve në kualifikueset e Europa League. UEFA dërgoi një fax në zyrat e FSHF-së për ta njoftuar në lidhje me këtë situatë, që prekte drejtpërdrejt klubin gjirokastrit për dy ndeshjet me letonezët. Luftëtari humbi ndeshjen e parë me rezultatin e thellë 5-0, me të gjithë golat që u shënuan në pjesën e parë. Ndërkohë, nuk është se krijoi më pak dyshime ndeshja e kthimit në Elbasan Arena, që përfundoi me rezultatin 3-3.

Sistemi BFDS (sistemi kompjuterik i UEFA-s, që shërben për të diktuar manipulimin e ndeshjeve) sinjalizoi lëvizje të cuditshme bastesh e për këtë arsye nisur procesi i hetimit, pikërisht ashtu si kishte ndodhur edhe me Skënderbeun, që prêt ende vendimin e CAS për të mësuar fatin e tij. Sportacentrs.com shkruante në atë kohë se klubi letonez ka për pronar ish-pronarin moldav të Dacia Kishiniev, klub i dyshuar për trukime, ndërsa është ndeshur edhe me Teutën një nga takimet e përfunduara në dosjet e përpiluara nga Sportradar për ato të dyshuara si të trukuara. Gjithashtu, Federata Letoneze e Futbollit në dimër mori sinjalizime se Oleg Gavrilovs, person i përjashtuar përjetë nga futbolli në Letoni për trukime, ishte parë në ambientet e Ventspils.

Ndoshta ndjenja e hakmarrjes për 8-3 e rezultatit të përgjithshëm me të cilën letonezët flakën jashtë gjirokastritët mund të jetë një motivues i mirë për të përballuar një kundërshtar me një vlerë organike 3.65 milionë euro. Teuta e di tashmë se cfarë kundërshtari të rrezikshëm ka përballë, mjafton të kujtojë 5-0 me të cilën Ventspils mbylli llogaritë që në ndeshjen e parë kundër bluezinjve. E megjithatë mënyra e lojës së letonezëve që ndeshjen e parë do ta luajnë në shtëpi, është e ngjashme, të paktën për modul loje me Teutën e Shkëmbit. Lojtari që duhet të ketë kujdes tekniku i bregdetarëve është wingeri i majtë Aiyegun, autor i 7 golave dhe dy assist në 14 ndeshje. Nigeriani 20 vjecar armën kryesore ka shpejtësinë dhe ka një sens goli për tu admiruar.

Ventspils janë një skuadër që luajnë rregullisht në kompeticionet europiane, nuk kanë munguar kurrë që nga 2001, por suksesin më të madh e kanë patur në 2009-10, kur erdhën nga Champions për të arritur fazën e grupeve të Europa League. I shkuan afër misionit edhe në sezonin 2013-14 ku u ndalën në raundi e tretë kualifikues, të mposhtur nga Maccabi Haifa me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Me pak fjalë një kundërshtar i vështirë për rikthimin në Europë të Teutës, që duhet të qendrojë në lojë në 90 minutat e transfertës, për të shpresuar kualifikimin një javë më pas në shtëpi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *