• |
ide | kryesore

Dëshmia e Fadil Memës, ish-policit të vrarë: Si u ngatërrova me Çapjat e Elbasanit

Lajme, Të fundit



Dëshmia e ish-komisarit të policisë rrugore, Fadil Mema në Elbasan, ka nxjerrë zbuluar Florenc Çapjan si autorin kryesor të tentativës së vrasjes së Fadil Memës në vitin 2006 në Elbasan. Kjo dëshmi është marrë para prokurorit Xhevat Hana, ku Fadil Mema tregonte në 1 qershor 2006, të gjithë zanafillën e nisjes së konfliktit me familjen Çapja, e deri tek arsyet që e shtynë atë të ndryshonte thënien në gjykatë, duke mos etiketuar Florenc Çapjan si autor të tentativës së vrasjes. Mema ka gënjyer para gjykatës së Elbasanit, gënjeshtër kjo që Çapjat e kanë marrë si provë dhe e përdorin sa herë hapet dosja e Florenc Çapjas.

Çapja është arrestuar dy herë për këtë ngjarje dhe dy herë është liruar, duke u varur pikërisht tek dëshmia jo e sinqertë e dhënë nga Fadili në gjykatë. Ndërkohë tashmë e treta e vërteta do tregojë, nëse Çapja do lirohet ose jo nga qelia. Kujtojmë që Florenc Çapja, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Krasta” në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga prokuroria e këtij qyteti dhe Policia e Shtetit, ka rezultuar se njeriu që ka dashur të vrasë Fadilin, është pikërisht Florenc Çapja.

Pak ditë më parë gjyqtarja e çështjes Miranda Konica vendosi të lerë në masën e “arrestit në burg” Florenc Çapjan të akuzuar për dy vepra penale atë të “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Kjo dosje është hapur dhe rihapur disa herë, ku për këtë ngjarje fillimisht është arrestuar dhe Bledar Muça, por së bashku me Florenc Çapjan janë liruar. Dosja më pas ka shkuar tek Krimet e Rënda, por edhe kjo prokurori pasi ka hetuar ka vendosur të pushojë hetimet.

Por pas 13 vite nga ngjarja kjo çështje është rihapur sërisht ku i arrestuar tashmë është Florenc Çapja. Rrëfimi i Fadil Memës është dhënë para prokurorit Xhevat Hana. E gjithë ngatërresa ka nisur për konflikt të lindur mes Sokol Çapjas dhe Dritan Shemes, djalë daje i Fadilit. Vetë Fadili tregon para prokurorit të ndjerë Xhevat Hana, se në 23 dhjetor 2005, kishte ditëlindjen.

Mema shkoi tek lokali i Çapjave për ditëlindje

“Mendova që ta festoja ditëlindjen me miq dhe me shokë. Për këtë arsye në datën 22 dhjetor rreth orës 14:30 vajta tek hotel “Univers”, që është pronë e familjes Çapja, për të pirë një kafe dhe për të biseduar me pronarin e lokalit që ta festoja aty ditëlindjen. Dua të sqaroj se vjehrra e vëllait tim e ka dajo Ramazanin, babain e djemve Çapja dhe pronarin e hotelit. Bisedova që të festoja ditëlindjen aty dhe ramë dakord që të takoheshim sërisht pasi, duhet t’i çoja dhe listën e personave. Largohem nga aty dhe iki të bëjë mësim tek autoshkolla”.

Ndërhyrja e Dritan Shemes

Aty më thëret djali i dajos tim i quajtur Dritan Sheme dhe më thotë se, ti e ke mik Sokol Çapjan dhe ti thuash se çfarë ka që ka folur keq për mua, pasi unë nuk i kam kërkuar falje njeriu por jemi pajtuar si burrat me Kamer Mehjen. Ndërsa unë i thashë përse mi thua mua këto fjalë dhe nga e di ti që Sokol Çapja ka thënë kështu. Ai i ka pohuar se mi ka thënë Ilirjan Rexhepi, vëllai i kunatit të Dritanit, pasi kishin pirë nga një gotë bashkë.Pasi mbarova mësim piva një kafe me instruktorët dhe shkova tek lokali “Univers” dhe takova Eduard Çapjan, siç e kisha lënë për ditëlindjen.

Ky nuk ishte dhe më thanë se është Sokoli në restorant. Pasi kam takuar këtë person,u ula në tavolinë dhe në bisedë e sipër i kam thënë çfarë ke biseduar me Ilirjan Rrexhepin, për Dritanin. Ai direkt u revoltua dhe filloi të flasi keq, për Dritanin. Me ne në tavolinë ishin dhe persona të tjerë, një oficer policie me mbiemrin Toska, ishte një person me pseudonimin “Maçoku”, i cili ishte shofer në policinë e Elbasanit. Ndërkohë Sokol Çapja vazhdonte të shante dhe fliste keq për Dritan Shemen. Unë bëra sikur fola dhe ika nga tavolina dhe takova disa inxhiniera autoshkolle tek pallati i sportit Elbasan. Por më pas më mer në telefon vëllai i Sokolit dhe më thotë, se ku je dhe çfarë i ke thënë Sokolit, dhe eja urgjent më tako’.

“Të therim si kec”

Shkova tek lokali “Univers” dhe u ngjita në katin e dytë, ku aty pashë që ishin Eduart Çapja, Sokol Çapja dhe oficeri i policisë gjyqësore me mbiemrin Toska. Në një tavolinë tjetër ishte Besnik Lepuri i dënuar në Itali, Mustafa Eshja, i dënuar në Greqi si dhe Evis Fetahu, person i shpallur në kërkim për një plagosje në Peqin.Sapo u ula në tavolinë Eduardi më thotë se çfarë ke thënë për Sokolin ti, se unë të ther si kec këtu. I them a je në terezi e thëret mikun në shtëpi dhe kërkon ta therësh pastaj. Jo i thotë Sokoli këtë do ta vrasim dhe do tia hamë trutë me kripë. Kërcënimet kanë vijuar deri në vrasjen e djalit etj. Unë i kam thënë që rri o rri se ty të flet rrakija. Në këtë periudhë që ne po debatonin u ngjit në katin e dytë të lokalit Presidenti i Elbasanit Arben Laze. Ikëm së bashku me Eduart Çapjan në një situatë të qetë’.

Takimi me Shemen e përplasja me armë

Rrugës me makinë kam shkuar të takoj djalin e dajos Dritan Sheme tek disko “Road Hause”, përballë konviktit. Pasi e kam takuar këtë të fundit, i kam thënë mor djalë çfarë keni juve me njëri-tjetrin se nuk e kuptoj këtë urrejtje. Në këtë moment ku ne po bisedonim vjen Sokol Çapja me një foristradë dhe fillon të debatojë me Dritan Shemen. Në këto momente ndërhyn Ardian Rexhepi, kunati i Dritanit, duke i thënë “…o Sokol largua…”, po në këtë kohë nga makina kanë zbritur Besnik Lepuri me kallashnikov në dorë, Mustafa Eshja, Evis Fetau dhe oficeri i policisë me mbiemër Toska. Besnik Lepuri thëret largohuni se do tju vras, por në këtë moment unë e kapa nga pas duke ia bllokuar duart bashkë me automatikun.

Mua më shkëputën dhe kam ndërhyrë në mes, duke i thënë ju lutem mos u vrisni se jemi miq me njëri-tjetrin, në rast se keni ndonjë gjë më vrisni mua. Pasi janë larguar të dyja palët, kam telefonuar policinë duke i thënë se makina e Sokol Çapja po qëllon me armë. Njëherësh kam marë në telefon Eduart Çapjan, dhe i them që ata desh u vranë, mere vëllanë se ata desh u vranë, desh ishte bërë kasaphanë.

Ditëlindja me deputetët e porosia për Shemen

Të nesërmen kam biseduar me Neritan Cekën, Piro Lua, Pashkë Ujka dhe Gjet Ndoin, të cilët i kisha ftuar për ditëlindje. Një ditë më pas kam takuar djalin e dajos, Dritan Shemen, duke i thënë se mos na ngatërosh me Sokolin se i kemi miq, së vëllai im Bilbili, ka mbesën e tyre për grua dhe ka tre fëmijë. Dritani ia kthen se, jo jo thotë për kokën e nipit nuk bëj gabime. Pasi kam mbaruar mësimin, jam telefonuar nga dikush dhe më thotë që kanë vrarë Sokol Çapjan, duke më pohuar se dihen dhe autorët.

Takimi me drejtorin e spitalit psikiatrik

Të nesërmen në 27 dhjetor 2005 vëllezërit e mi shkuar për ngushëllim dhe në varrim, kurse unë nuk vajta pasi kisha nusen sëmurë si dhe më kishte mbetur qejfi nga debati i mësipërm. Disa ditë më pas drejtori i spitalit psikiatrik me mbiemrin Xhuvani më dërgon haber dhe më thotë se vrasjen e Sokol Çapja, e ka bërë Dritan Sheme me disa shokë dhe ai ka mbetur vetë i plagosur. E kemi mjekuar dhe strehuar dhe ai duhet ndihmuar për ta nxjerrë jashtë shtëpisë. Unë i thashë që nuk ngatërohem me këto puna, pasi dhe Çapallarët i kam miq.

Këtë takim me drejtorin e spitalit ia kam treguar vëllezërve, duke i treguar realitetin. Napoloni i ka rënë murit me grusht duke pohuar se “çfarë ka bërë maskarai”. Kemi gjykuar që unë të largohem jashtë Shqipërisë, dhe të gjeja strehim për një kohë, bashkë më fëmijët në Itali. Por më pas kam mësuar se më kërkonte prokuroria e Elbasanit, si dhe ishin hapur llafe se unë kisha dhënë urdhrin për vrasjen e Sokol Çapjas në Elbasan, pasi ai më kishte qëlluar me pëllëmbë në lokal “Univers”.

Takimi me Arben Dashin

Jam kthyer nga Italia dhe në Tiranë kam takuar Arben Dashin, duke i kërkuar të interesohej se çfarë janë këto fjalë që ishin hapur. Nga ana tjetër kam shkuar në polici, dhe kam dhënë deklarime. Shefi i krimeve në Elbasan më thotë”… bëj kujdes se kanë shumë inat me ty, mos shfryjnë ndaj teje, se ne e dimë që ti nuk ke gjë, dime që nuk ke probleme, por janë shumë disinformime. Ai më pyeti se a ke nevokë për ndonjë gjë, do armë dhe se neve do të mbajmë nën mbikqyrje dhe në atë kohë po mbahesha në mbikqyrje.Në shtëpi kisha çifte me leje. Ndërkohë sa herë dilja dhe qëndroja në kafe Evis Fetau dhe një tjetër, njerës të Çapjave qëndronin jashtë dhe me vete kishin armë. Kam dalë në Elbasan në 29 janar 2006 dhe nga njerëz të tjerë kam dëgjuar se Çapallarët e kishin gjithë inatin me mua.

Goditja me 11 plumba nga Florenc Çapja

Më 30 janar së bashku me vëllezërit dhe kunatin tim kam shkuar tek një komshi për ngushëllim tek një komshi. Rrugës në kthim kam parë deputetin e Elbasanit Aurel Bylykbashi me Kujtim Hazbiun, me të cilët u përshëndeta. Pas një ose dy minuta dëgjoj kunatin tim Ardianin që të bërtasë “…na vranë…”. Në këto moment kam parë një person të veshur me kombinoshe, që në dorë mbante një automatik me silenciator dhe në një distancë të afërt dy apo tre metra ka qëlluar në drejtimin tim, duke më shpuar pardesynë. Në këtë moment e pashë që i ngeci automatiku dhe e pashë që po e mbushte sërisht dhe e njoha që ishte Florenc Çapja.

Në këtë moment i kam thënë “…o Lenci çfarë borxhi ju kam, çfarë ju kam bërë…ndërkohë ai më shau dhe më tha do të masakrojmë dhe e mbushi sërisht armën….” Ndërkohë Ardiani filloi ta qëllojë me gurët e rrugës, dhe Florenci e qëlloi me breshëri. Në këtë moment Fadil Mema tregon se Florenc Çapja e ka qëlluar sërisht në ikje e sipër Fadilin, ku një plumb e ka kapur në këmbë dhe e ka rrëzuar në derë të shtëpisë. Tek shtëpia e tij, ka marë një pistoletë Mauzer dhe ka qëlluar në drejtim të Florencit,disa herë për tu vetëmbrojtur pasi po afrohej të më vriste, tregon ai. Në rrobat e mia të trupit kam konstatuar 11 vrima të shkaktuara nga plumbat. Po këtë ditë mora vesh se ishte ndaluar nga policia Florenc Çapja.

Çapjat kërkojnë falje

Pas arrestimit fisi Çapja, kërkon të takojë vëllanë tim Bilbil Memën, dhe takimi është zhvilluar në klubin e Luan Qoses. Në këtë takim, Ramazan Çapja i kishte pohuar vëllait se nuk ishte djali jonë që kishte qëlluar, prandaj Fadili duhet të tërheqë kallëzimin dhe të na lirohet djali jonë. Por për këtë kërkesë, vëllai i ka thënë që të takoheshin vetë me Fadil Memën. Të nesërmen në mëngjes Ramazan Çapja, Fejzi Çapja dhe Enver Çapja dhe Hekuran Shorja kanë shkuar në shtëpinë e Fadil Memës dhe kanë kërkuar falje. Gjatë bisedës që u bë, ata këmbëngulnin se nuk ka qenë Florenci në këtë ngjarje.

Anëtarë të fisit Çapja i thanë Fadil Memës se “…ne e dimë se nuk na e ke vrarë ti djalin tonë Sokolin, e dimë se ku ke qënë kur është vrarë Sokoli, dhe ne kemi punë vetëm me ata persona që na e kanë vrarë Sokolin.Ne kemi qënë miq dhe miq do mbetemi…”. Ndërsa Fadili i ka pohuar se skam lidhje me vrasjen e djalit tuaj dhe jam kthyer nga Italia vetëm për të sqaruar pozicionin tim në prokurori.Ndërsa ata më thanë se këtë gjë ja kanë lënë shtetit dhe le ta zgjidhë shteti,të marë hak shteti. Me kaq u largua pa marrë ndonjë premtim nga ana ime. Pas dy ditësh vjen sërisht Ramazan Çapja në mëngjes tek shtëpia ime dhe më thotë Fadil, ma nxir djalin nga burgu se po nuk ma nxore do të kemi probleme të tjera, u bënë dy me zero. I thashë se nuk ta kam vrarë unë djalin, se nuk kam unë dorë në punët e djalit tënd. Ai më thotë se po të kishe dorë ti, unë të kisha vrarë vetë dhe të vras edhe tani.

Me kaq u largua duke mos marrë prap ndonjë premtim nga mua. Sërisht mbas disa ditësh më vjen Enver Çapja në shtëpi tek unë dhe gjatë bisedës që zhvillova me të më tha se ne e dimë që nuk ke faj ti, por duam të bashkëpunosh të na japësh ndonjë informacion, se jemi miq dhe se kështu bëhemi më të fortë. Të na japësh informacion ku fshihen ata që na vranë vëllanë, sepse ne do të hakmeremi deri në njeriun e fundit. Me sa kam mësuar më prapa, këtë bisedë tonën Enver Çapja e ka rregjsitruar. Ndërkohë më pas filluan të më kërcënojnë se do më marin djalin peng nga shkolla private ku e çoja, godinë e cila ndodhej shumë afër zonës, se fisit Çapja në Elbasan.

Takimi pas hyrjes së drejtorit të SHIK

Pas kësaj thirra mikun e përbashkët tonin dhe të atyre Asim Pobratin, i cili ka qenë me detyrën e drejtorit të SHIK-ut në Elbasan. Ky pranoi të lunate rolin e ndërmjetësit, pra të bisedonte me të dyja palët. Asimi më tha se është bërë disinformim i qëllimshëm kundër meje. Ai bëri bisedë edhe me Ardian Çapjan dhe ky i kishte thënë se do t’i jepte përgjigje pasi të merrte përgjigje nga një miku i tij.Unë dyshova sepse po shikoja lëvizje nga persona që rrinin rreth tyre të cilët survejonin lëvizjet e vëllezërve të mi dhe kunatit tim. Mendova se ata donin të godisnin prap ose të bënin presion ndaj familjes time.Gjatë kësaj kohe kam marrë Gëzim Delilajn ish-pedagogun tim në Akademinë e Rendit dhe njëkohësisht ishte edhe avokat i fisit Çapja. Gëzimi i shpjegova ngjarjen nga fillimi, pra që nga data 22 dhjetor 2005 dhe ky më tha që është mirë që këto probleme t’I mbyllim se ju jeni miq e shumë gjëra të tjera.

Njëkohësisht më tha që do shkoj të bisedoj me familjen Çapja. Ai vajti në këtë familje dhe bisedoi duke qenë i pranishëm në bisedë edhe Sokol Shehu, me detyrën avokat dhe njëkohësisht mik i vëllait tim. Pasi biseduan erdhën përsëri tek shtëpia ime dhe më thanë se janë dakord që të bisedojnë dhe ta mbyllin këtë problem. Unë u kërkova që në takimin që do të bënim të ishte i pranishëm edhe Ardian Çapja (të cilit i thërrasin kapo),pasi dija që Ardiani pyetej më shumë në këtë familje dhe se ishte i afërt me Sokolin. Takimi u bë në shtëpinë time në prani të Gëzim Delilajt. Nga ata morën pjesë Ramazan Çapja, Enver Çapja dhe Ardian Çapja, ndërsa nga ana jonë isha unë, vëllezërit e mi dhe kunetërit e mi, Stavri Kosta dhe Hamdi Krasniqi (burrat e motrave). Gjatë bisedës që zhvilluam aty, Ardiani tha se biseda që kemi bërë në datën 22 dhjetor, duhej të ishte bërë me zë të ulët dhe nuk duhej që të na dëgjonin të tjerët.

Njëkohësisht tha se unë jo të gjitha problemet e vëllait Sokolit, i kam ditur apo i di. Edhe 12-13 milionë lekë që bënim nga lokali në muaj, 2-3 milionë mbeteshin për shpenzime të tjerat,i merrte ai. I thashë që unë të njoftova kur ndodhi sherri. Ai më tha se po dhe se nuk e kishte lënë vëllanë të dilte nga lokali po të flinte. I thashë mirë ato ikën po njerëzit pranë jush po bëhen shqetësim për familjen tonë. Ai më tha se ti mendon se shokët e Sokolit do marrin hak, ata janë pijanecë e ordinerë. i thashë se në rast se ju dyshoni se unë kam lidhje apo dorë me problemin e vëllait tuaj jam i gatshëm të dal kur të doni e të më vrisni se nuk dua të ngatërroj njerëzit. Ai më tha se jo por as me ty nuk kemi ndonjë punë. Kjo ishte biseda që zhvilluam” – mbyllet rrëfimi i Fadil Memës./Shqiptarja.com



3 Comments

  1. Gazetare bythe, drejtshkruhet “Çapen” ne vend te “Çapjan”, ne rasen kallezore, nese e dini ç’është!
    Po ashtu, rasa kallezore e shumesit ben “Çapet” dhe jo “Çapjat”!
    O karagjoze qe pini kafen te Blloku dhe laheni te Gjiri i Lalzit!

    1. E ke gabim Tahip, edhe pse e pi kafen tek Unaza dhe lahesh ne Golem. Drejtshkruhen respektivisht, “Çapjen” dhe “Çapjet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *