• |
ide | kryesore

Fletë votimi vetëm me një emër/ Historiani: Kush e besonte se do përsëritej…

Dossier



Në të paktën 31 bashki zgjedhjet vendore të ditës së diel do kenë vetëm një kandidat. Për historianin dhe ish-drejtorin e Arkivit në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, kjo na kthen 30 vite pas kur në votimet e diktaturë nuk kishte kandidatë opozitarë.

Dervishi ka publikuar një fletë votimi të vitit 1958 duke shtuar se askush nuk e besonte se ky moment do të rikthehej sërish në ditët e sotme. “Kujt ia merrte mendja se do shihnim sërish fletëvotimi me një emër”, shkruan Dervishi. Emri i kandidatit për deputet siç shihet në fletën e votimit është Jorgji Pano, nga Fronti Demokratik.

Nga Kastriot Dervishi

Komunistët erdhën në pushtet në vitin 1944 duke vrarë e duke prerë kundërshtarët e tyre. Vitin e parë në pushtet, u morën edhe në mënyrë zyrtare me goditjen dhe zhdukjen e kundërshtarëve politikë të tyre. Pasi ishin konsoliduar, organizuan “zgjedhjet” e para në 2 dhjetor 1945. Gjatë gjithë kohës së ekzistencës së regjimit të tyre, Partia e Punës nuk konkurroi asnjëherë si subjekt zgjedhor.

Ajo fshihej pas Frontit Demokratik. Zhvilloheshin zgjedhje për Kuvendin Popullor (çdo 4 vjet) dhe zgjedhje për pushtetin vendor (këshillat popullore) dhe gjykatat popullore (çdo 3 vjet). Në listat e zgjedhësve ishte vetëm një kandidat, i caktuar në emër i Frontit Demokratik, i miratuar më parë nga strukturat e Partisë së Punës: Byroja Politike për organin legjislativ dhe komitetet e partisë për këshilltarët popullorë.

Zgjedhësi nuk bënte asgjë, por vetëm çonte fletën në kutin e votimit. Zgjedhjet çeleshin në orën 7.00. Deri në orën 8.00, të gjitha levat e Partisë së Punës në lagje bënin garë për pjesëmarrjen në votime (e vetmja konkurrencë). Kudo buçiste ahengu dhe radio, çka e jepnin një karakter tragjikomik ditës kur gjoja bëhej shëtitja që quhej “zgjedhje”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *