• |
ide | kryesore

Denoncimi/ Në Dibër të përfshirë në fushatë policia, ushtria dhe ata që dolën në përgjime

Lajme, Të fundit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Xhemal Gjunkshi akuzoi sot strukturat shtetërore se janë përfshirë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas tij, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka , shfrytëzon makinerinë shtetërore, në funksion te organizatave socialiste.

“Xhaçka lëviz me Helikopter te tipit EC-145, me të cilin po e përdor si taksi private, vajtje ardhje Tiranë-Dibër, Toyota Land Cruiser me targ AA 927 YB, targë e cila i korrespondon një mjeti tjetër, Volkswagen Phaeton në përdorim të shtabit të përgjithshëm i është vendosur targa TR 7821 R, kjo targë aktualisht i korrespondon një mjeti tip FIAT, mjeti Towareg me targë TR 5457 T, i korrespondon një mjeti tjetër në Forcat e Armatosura dhe mjeti Land Rover me targë AA 950 FX i korrespondon një mjeti tip Audi” – tha Gjunkshi sipas të cilit gjatë fushatës së saj elektorale Ministrja e Mbrojtjes është shoqëruar nga një numër i madh efektivësh të forcave speciale, dhe nga stafi saj i ngushtë që punojnë në ministri.

Gjunkshi akuzoi ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj se mashtroi përpara opinionit publik kur tha se drejtuesit e policisë të përfshirë në dosjen 184 janë larguar.

“Ky është një mashtrim shumë i madh. Ato jo vetëm që nuk janë larguar por vazhdojnë të jenë të graduar. Komisar Robert Aga i përfshirë në dosjen 184, sot ka shoqëruar materialet zgjedhore që kanë ardhur në qarkun Dibër. Drejtuesit e policisë së shtetit në shkelje të hapur të ligjit, në këmbim të votave po u bëjnë presion qytetarëve mbi dokumentacionin e qarkullimit të mjeteve, ndërtimet pa leje etj.

Kemi të dhëna që policia e shtetit në Dibër, ka shpërndarë armatim si: Pistoleta dhe automatikë. Kjo është në shkelje të plotë të ligjit elektoral. Po ju informojmë qe ne te gjithë Dibrën po lëvizin e qarkullojnë persona me rekorde kriminale dhe me dosje te zeza” – tha ish-deputeti.

Ai akuzoi se drejtuesit e pushtetit vendor në Dibër si: OSHEE, DAR, institucionet e Shëndetësisë, Posta, Tatimet etj, po ushtrojnë të njëjtin presion mbi qytetarët, në këmbim të votës dhe pjesëmarrjes masive në votime, mbledhjen, dhe blerjen e kartave te identitetit.

“Bekim Krashi i cili dëgjohej teksa komunikonte me ministrin Damian Gjiknuri në vitin 2016 aktualisht, mban postin e drejtuesit të OSHEE në Dibër. Punonjësi i OSHEE-se me inicialet E.K, se bashku me punonjësin e postës me inicalet A.S në këmbim të votave kanë kërcënuar me jete qytetarët, duke u hequr ose duke mos ua dhënë ndihmën ekonomike dhe duke mos u shpërndarë pensionet” – tha ish-deputeti. ©LAPSI.al

2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu