• |
ide | kryesore

Kriza politike/ Ambasadori britanik në takim me kryetaren e LSI-së

Lajme, Të fundit



Kryetarja Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, po zhvillon një takim me ambasadorin britanik, Duncan Norman. Në takimin që sapo ka nisur në selinë e LSI-së, pritet që në fokus të tryezës së bisedimeve të jetë kriza politike në Shqipëri.

Ky takim mbahet teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet vendore të parashikuara për t’u mbajtur më datë 30 qershor. Nga njëra anë, mazhoranca ka shprehur vendosmërinë për të vijuar me zhvillimin e zgjedhjeve, përkundër vendimit të presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për lokalet. Ndërsa, në anën tjetër, opozita e bashkuar joparlamentare ka bërë të ditur se do të vijojë me aksionin opozitar, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ndërkohë, dy ditë më parë Kolegji Zgjedhor në unanimitet vendosi të rrëzonte kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar nga gara elektorale, duke lënë në fuqi 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Takimet mes diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë dhe liderëve politikë të vendit, kanë qenë të shpeshta përgjatë dy javëve të fundit, për shkak të klimës së polarizuar politike në prag të zgjedhjeve të së dielës.

 

 

 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *