• |
ide | kryesore

Operacion ndërkombëtar antidrogë, shpërbëhet në 7 vende evropiane organizata kriminale me rrënjë në Shqipëri

Lajme, Të fundit



Në një operacion ndërkombëtar të koordinuar nga EUROPOL dhe të drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, ka rënë në pranga edhe një shtetas shqiptar, 51 vjeç, banues në Shkodër, që vepronte si kreu i një grupi të konsiderueshëm kriminal. Në njoftimin për shtyp, Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Goldfinger” janë arrestuar 42 persona në vendet ku ishte shtrirë ky hetim: Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

“Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj. Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019. Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal”,- shkruhet në njoftimin e Policisë.

Është dokumentuar se grupi kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg lëndë narkotike të llojit “kokainë” dhe “heroinë” brenda vendeve të Bashkimit Evropian. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 40 kg kokainë, mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete etj.

Gjatë fazës operacionale, në Shqipëri u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u bë arrestimi i 51 vjeçarit nga Shkodra, i cili do të gjykohet për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sakaq, është shpallur në kërkim një shtetas tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.

 

https://www.youtube.com/watch?v=Hv46ZuH25zY



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *