• |
ide | kryesore

Vettingu/ Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Krimeve të Rënda, i ishte refuzuar edhe viza nga SHBA

Arkiva, Lajme, Të fundit



Shkarkohet nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri.

Në kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, sipas relatimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Krimeve të Rënda, njëherësh edhe kandidat për Gjykatën Kushtetuese, rezultoi me probleme, të cilat u mohuan gjatë mbrojtjes nga ana e Hasnezirit. Hetimet për një apartament si të vetmen pasuri të paluajtshme që gjyqtari posedonte, si dhe mosdeklarimi i refuzimit të vizës amerikane, sipas Komisionit kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh.

PASURIA

Duke iu referuar relatores së çështjes, Alma Faskut, nga hetimi i kryer ka rezultuar se gjyqtari ka deklaruar në mënyrë të pasaktë sa i takon burimit të krijimit të kësaj pasurie dhe se huat e marra te vëllai dhe një kushëri nuk justifikoheshin prej tyre. Edhe nga analiza financiare e kryer, sipas Komisionit, gjyqtari rezultonte me bilanc negativ e për rrjedhojë nuk kishte mundësi për të vënë këtë pasuri. Nga relatimi i KPK-së u bë e ditur se apartamenti ishte 135 metra katrorë në Tiranë, i blerë për 5 milionë e 900 mijë lekë në vitin 2006. Si burim për këtë pasuri, Hasneziri ka deklaruar një kontratë huaje të vitit 2007 lidhur me vëllain dhe kontratën për kredinë bankare në po të njëjtin vit. Sipas relatores, ka mospërputhje mes deklarimeve periodike, asaj veting dhe sqarimeve të dhëna nga vetë gjyqtari.

Duket se ka nënshkruar kontratë shitblerjeje fiktive dhe jemi përballë shkeljes së etikës. Gjatë hetimit rezultoi se subjekti ka deklaruar adresa të ndryshme banimi, në vite të ndryshme. Kemi kërkuar nga subjekti që në lidhje me 3 adresat e dhëna, t’i saktësojë ato dhe të vërtetojë me dokumentacion qëndrimin aty”, tha Fasku. FIGURA Për kriterin e pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e konsideroi të papërshtatshëm gjyqtarin, kjo pasi sipas raportit nuk kishte deklaruar refuzimin e vizës nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vetë Hasneziri ka argumentuar se nuk e ka parë të detyrueshme deklarimin dhe se refuzimi i vizës nuk është refuzim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Në vitin 2014 subjektit i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fakt që nuk e ka deklaruar”, tha Fasku.

MBROJTJA

Nëse do të përdornim kriteret dhe standardet e sotme, Abraham Linkoln do të konsiderohej një president i korruptuar, pasi dha para për bindjen e kongresmenëve për heqjen e skllavërisë”, tha Luan Hasneziri gjatë mbrojtjes së tij, duke argumentuar se ai është ngarkuar me standardet e ditëve të sotme, për rrethana që kanë ndodhur kohë më parë dhe në rrethana specifike. Sipas Hasnezirit, përfundimet e nxjerra nga Komisioni nuk mund të qëndrojnë ashtu siç janë sjellë.

Gjyqtari i konsideroi hetimet dhe përfundimet e KPK-së si justifikime dhe pretekste për të sjellë shkarkimin e tij, sepse nga sistemi nuk kishte asnjë arsye dhe shkak ligjor për largimin e tij. Teksa e konsideroi veten një gjyqtar me njohuri të mira juridike, Hasneziri i tha KPK-së se ai ka gjykuar dhe dënuar grupe të rrezikshme dhe ndihej i frikësuar me jetë nëse “flakej në rrugë”.

Gjatë karrierës sime kam gjykuar një sërë procesesh dhe kam dhënë disa burgime të përjetshme. Kam dënuar grupe të 1997-ës, të cilët sot enden të lirë në rrugë. Ndihem i rrezikuar në jetë nga këta persona. Jam mbrojtur së bashku me kolegët e mi nga forcat RENEA me automatikë nga këta persona dhe nëse sot unë flakem në rrugë, ndihem i rrezikuar. Më vjen keq që do e mbyll fjalën time në këtë formë, por unë sot nuk gjej asnjë arsye për shkarkimin tim, vetëm justifikime”, përfundoi gjyqtari Luan Hasneziri.



3 Comments

  1. Po ca lidhje ka refuzimi i vizes me vetingun?! Viza mund te refuzohet edhe nese nuk ke para te mjaftueshme per te mbuluar shpenzimet e qendrimit atje. Perse duhet pare si kriter per pastertine e figures?!

  2. Lu,Soros e rilindja jane shkaku. Gjithe pasuria 1 apartament , po Dvorani 1 miliard e uzurpues posti jashte ligjit???lere me Perla, Marku, Dranja,Lleshi leshi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *