• |
ide | kryesore

Kriza politike në Shqipëri/ “Forza Italia” e Berlusconi-t: Nëse ne dhe BE nuk ndërhyjmë, vendi rrezikon negociatat

Lajme

Deputetja e Partisë italiane “Forza Italia”, Mara Carfagna, i ka kërkuar qeverisë së drejtuar nga koalicioni mes “Lega”-s së Matteo Salvini-t dhe Lëvizjes “Cinque Stelle” të Luigi di Maio-s, që të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme në rrugë diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e krizës politike në Shqipëri.

Carfagna, njëherësh nënkryetare e Dhomës së Ulët të Parlamentit italian, ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” se grupimi politik ku bën pjesë, ka ndërmarrë një nismë parlamentare për të angazhuar qeverinë në mbajtjen e një qendrimi urgjent për situatën politike tejet të polarizuar në vendin tonë.

Më herët, kur kryeministri Edi Rama paralajmëroi shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, një tjetër deputete e po të njëjtës forcë politike në Itali, Erica Mazzetti, mbajti një qendrim të përafërt. Mazzeti i bënte thirrje ekzekutivit italian për një reagim të ngutshëm, në mbrojtje të shtetasve të shumtë italianë që janë zhvendosur për të jetuar në Shqipëri, ku kanë themeluar edhe sipërmarrjet e tyre.

Postimi i plotë i Mara Carfagna-s:

Pak kilometra nga brigjet tona po zhvillohet një krizë serioze politike dhe sociale që nuk duket të ndikojë fare në qeverinë italiane. Në Shqipëri forcat e opozitës po protestojnë duke denoncuar një mungesë barazie në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Përplasja midis partive është kthyer tanimë në një përplasje mes qeverisë së Rama dhe Presidentit të Republikës. Nëse Italia dhe Bashkimi Europian nuk ndërhyjnë menjëherë duke e detyruar Shqipërinë të marrë një rrugë plotësisht kushtetuese, vendi rrezikon të zhytet në paralizë institucionale dhe t’i ndërpritet bisedimet e anëtarësimit.

Kompanitë shqiptare dhe shumë kompani italiane dhe europiane që operojnë në Shqipëri do të dëmtohen seriozisht. Procesi i aplikimit të vendit në BE do të ndërpritet papritmas. Për të mos të përmendur rrezikun e eksodit të mijëra shqiptarëve në Itali. Me Forza Italia ne kemi ngritur një nisme parlamentare që i bën thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Është përgjegjësia jonë politike dhe historike. Presim që kryeministri dhe Ministri i Jashtëm të ndërmarrin veprime të menjëhershme.

 

 

 

 

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu