• |
ide | kryesore

Video/ Edhe të këqinjtë qajnë: lotët e Luis Suarez bëjnë xhiron e botës

Sport, Video



Vetëm një javë më parë, një sondazh e nxirrte “i keqi më i mirë i historisë së futbollit”. Ekzagjerim? Ndoshta, por Luis Suarez ndonjëherë bën gjithcka që të tjerët ta urrejnë. Kafshon, feston në fytyrën e kundërshtarit, nuk përmban nervat. Nuk është Djalli vetë, por mes të këqinjve rri mirë. Vetëm se historia e kësaj Kupe Amerike, tregon se edhe të këqinjtë qajnë. Nëse Uruguay nuk do të luajë gjysëmfinalen e turneut, faji është më së shumti i sulmuesit të Barcelonës.

Imazhi i humbjes së Celeste është pikërisht ai i lotëve të Suarez. I pangushëllueshëm, i paralizuar në mes të fushës e me fanellën që i mbulonte fytyrën. E kuptueshme, edhe sepse tensionin uruguajani e kishte mbi vete përpara penalltisë. Ishte ai që hapi serinë e penalltive dhe i vetmi që gaboi, përballë portierit të Peru, Gallese. E kur Edison Flores shënoi penalltinë e fundit, duke dërguar Blanquirroja në gjysëmfinalen kundër Kilit, “i keqi” shpërtheu në lot.

Një skenë që bëri xhiron e botës, sepse nuk ndodh shpesh të shohësh Suarez kaq të dëshpëruar. Një shaka e fatit e kanë konsideruar disa, duke kujtuar Botërorin 2010 kur një penallti e shkaktuar prej tij bëri Ghanën të qajë. Afrikanët do shkonin në gjysëmfinale, nëse Pistolero nuk do të kishte vendosur dorën, në minutën e fundit, duke shkaktuar penallti dhe jo gol. Ganezët gabuan dhe në gjysëmfinale shkoi Uruguay. Ka nga ata që e quajnë karma e kush mendon se është ndonjë mallkim ganez. Por rezultati është i njëjti. Edhe të këqinjtë qajnë.




Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *