• |
ide | kryesore

Prapaskenat/ Përplasjet e forta për gjermanen që pritet të marrë në dorë BE-në

Lajme, Të fundit



Mbas tre ditëve bisedimesh të vështira kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE, kanë rënë dakord për paketën e emërimeve të reja në postet kryesore europiane. Siç bëri të ditur presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, u propozua që ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, të jetë pasardhësja e presidentit të Komisionit Jean Claude Juncker. Vendimi duhet votuar edhe në Parlamentin Europian.

Ky propozim ka pasur mbështetjen e Francës dhe Spanjës. Edhe 4 vende të Europës Lindore, Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia e kanë mbështetur propozimin, siç bëri të ditur në një mesazh lëshuar në Twitter, zëdhënësi i qeverisë hungareze.

Parlamenti duhet të japë votën

Megjithatë është ende e paqartë nëse Von der Leyen do të marrë shumicën e nevojshme edhe në Parlamentin Europian. Zëvendëskryetari i fraksionit të socialdemokratëve Bernd Lange, bëri të ditur me Twitter se propozimi i Tuskut nuk është i pranueshëm. Këtë e tha edhe politikani socialdemokrat gjerman Udo Bullman.

“Një propozim i hidhur! Von der Leyen nuk është kandidatja më e mirë dhe në Gjermani kundër saj është duke u zhvilluar një hetim për dhënien jo sipas rregullave të kontratave për këshilltarët. Europa meriton diçka më të mirë!”, – tha ai.

Merkelit iu desh të abstenonte

Kancelarja gjermane Angela Merkel abstenoi gjatë nominimit të Von der Leyen, sepse koalicioni i madh në Berlin nuk arriti në marrëveshje. Kryesia e socialdemokratëve nuk e pranon nominimin e von der Leyenit.

Që me ministren gjermane të mbrojtjes të futet në linjë një politikane e “cila nuk ka hedhur kandidaturën, nuk është një gjë bindëse”, – thanë kryetarët e Partisë Socialdemokratë, që e mbajnë këtë detyrë në mënyrë komisare, Malu Dreyer, Manuela Schwesig dhe Thorsten Schafer Gümbel. “Në këtë mënyrë bëhet absurde demokratizimi i Bashkimit Europian”.

Më parë ishte politikani i kristiansocialëve Manfred Weber ai që hoqi zyrtarisht dorë nga pretendimi për të marrë postin e Presidentit të Komisionit të BE. Zëdhënësi i tij i bëri të ditur agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, se ai e dorëzoi mandatin si kandidat kryesor për Partinë Popullore Europiane.

Siç bëri të ditur presidenti i BE, Doland Tusk, kryeministri belg Charles Michel, do të marrë përsipër postin e përfaqësimit të vendeve anëtare të BE. Ministri i Jashtëm spanjoll, Josef Borrell, do të jetë i ngarkuari me politikën e jashtme të BE dhe francezja Christine Lagarde do të bëhet presidente e Bankës Qendrore Europiane (EZB). Ajo shkruajti në Twitter se ndihet e nderuar nga emërimi dhe se do të dorëzojë postin e deritanishëm si drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kandidati i socialdemokratëve Frans Timmermans, do të mbajë postin e zëvendëspresidentit të Komisionit të BE./DW



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *