• |
ide | kryesore

Vuçiç: Kosova ka si objektiv të marrë pjesën veriore të saj dhe të dëbojë serbët

Lajme



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se situata në veri të Kosovës, është komplekse dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë, veçanërisht në spitalin e Mitrovicës së Veriut.

Vuçiç tha se vështirësitë më të mëdha të furnizimit në atë pjesë janë për shkak të taksës së vendosur nga Prishtina, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Duke komentuar hapjen e pikave të shitjes nga ana e autoriteteve të Prishtinës, pasi për dy ditë me rradhë, afaristët serbë i mbyllen dyqanet, presidenti Vuçiç tha se kjo është bërë me qëllim që “serbët të harrojnë lidhjen me atdheun e tyre”.

“Objektivi kryesor i këtyre masave të Prishtinës, është ta marrë veriun e Kosovës, dhe të dëbojë popullsinë serbe nga mbarë Kosova”, tha Vuçiç.

Të hënën, afaristët serbë në veriun e Kosovës, i mbyllën dyqanet pasi thanë se nuk posedojnë furnizim me mallra, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur nga autoritetet në Prishtinë për mallrat nga Serbia.

Qeveria e Kosovës më pas vendosi të hapë pika të shitjes mobile për banorët e asaj pjese. Gjatë një takimi të martën në mbrëmje, të Shoqatës së Afaristëve të veriut, u vendos që të mërkurën të hapen gjitha pikat e shitjes në veri.

Autoritetet në Serbi disa herë kanë thënë se veriu i Kosovës po ballafaqohet me “krizë humanitare”, por këto pretendime janë kundërshtuar nga ana e institucioneve të Kosovës, duke e quajtur këtë “inskenim të Beogradit”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *