• |
ide | kryesore

Shqipëria ime dje, sot dhe nesër

Blog



Si kosovar, por jo nga ata të Nolit që ndezin zjarr, po hedh këtu observimet e mia si refleksione të një dhembjeje për gjendjen e krijuar në tokën e shqipeve, të cilën Zoti e bëri të bukur, por që e shëmtuan politikanët zuzarë.

Ishte viti 1994 kur për herë të parë shkela në tokën që e shihnim të zbukuruar nga filmat në TV. E vërteta përbënte një realitet krejt surrealist me premisa absurdi, panoramën e së cilës nuk mund e përshkruaj dot, por po e sjell në vëmendje një takim me një burrë në Rogozhinë, i cili bartte bukën me një gomar për një si restorant skaj rruge, nën trupin e një bunkeri të madh.

E pyeta se cili ishte ndryshimi që po e vërenin ata pas përmbytjes së madhe të rendit shoqëror. Burri m’u përgjigj thjesht: “Në kohën e Enverit ishim lepuj, ndërsa tash në kohën e Salës jemi bërë qenë”. Kjo e shpjegonte të tërën; demokracia ishte kuptuar si e drejtë e shprehjes së lirë e jo si e drejtë për pjesëmarrje në vendimmarrje. Thënia e këtij burri edhe sot ka kuptimin proverbial.

E tmerrshme është të shohësh si lehin (përtej kuptimit pezhorativ të qenit, të cilin si qenie e dua shumë) politikanët, analistët, opinionistët dhe çfarë zhurme bëjnë vetëm e vetëm që me zërin e tyre të ngritur të mund të shqyejnë të vërtetat e kundërshtarit dhe të imponojnë të vërtetat e tyre absolute!

Këtë vit takova edhe poetin (tanimë shpirtërisht të shkallmuar) Vehbi Skenderin, që në mënyrë gati infantile i gëzohej ndryshimit. Takova edhe shumë të tjerë që ndjenin daljen nga kampi socialist, por pa idenë e qartë se cila ishte rruga drejt demokracisë, drejt kthimit të njeriut në dimensionet reale, që, siç do të thoshte Vesna Parun, për gjysmë shekulli kishte jetuar pa atdhe, ndërsa atdheu i ishte shndërruar në gjithësi, përkatësisht në një bisht të yllit pesëcepësh.

Në fund të vitit 1997, pas përmbytjes së dytë të madhe, përkatësisht horrorit politik, takova Pjetër Arbënorin, të lodhur dhe të dëshpëruar shumë. Heshtja e tij fliste më shumë se të gjithë politikanët e analistët që shfaqeshin nëpër ekranet televizive, të konceptuara si makina terrori.

Po ndërsa njeriu i viteve nëntëdhjeta ishte një qenie plotësisht e dekompozuar në kuptim identiteti dhe dinjiteti, njeriu i viteve dymijta ishte një qenie në kërkim të krijimit të një mirëqenie me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjetet. Si shembull ilustrues për këtë po sjell një rast në Librazhd, të vitit 2005. Një person na bën me dorë në mënyrë shumë agresive, sikur ta digjet prushi nën këmbë, që ta ndalnim veturën dhe ta merrnim. U ndalëm dhe e morëm. Posa u fut në veturë, të cilën e drejtonte një mik i imi, tipi nga Librazhdi klithi me zë të lartë: “Nuk jam polic as deputet, por jam mësues dhe poet”. Pastaj nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxori një libër me poezi, si dëshmi për atë që tha.

Në ecje e sipër mësuesi pyeti se ku punonim ne dy kosovarët, ndërsa pak përpara foli me habi për veturën e bukur. I thashë se miku që po drejtonte veturën ishte një trafikant i njohur droge se ndryshe nuk do të mund ta kishte një veturë të tillë. Mësuesi nuk u habit fare nga kjo, përkundrazi u entuziazmua dhe tha se edhe ajo ishte një punë e mirë, madje një punë shumë e mirë, të cilën me plot dëshirë do ta bënte edh ai!

Unë e miku mbetëm pa tekst dhe nuk folëm më deri në Tiranë. Po e rëndësishme ishte se mësuesi dëshmonte se njeriu i ri tani po bëhej prej kanabisi. Dhe nuk vonoi shumë u krijua Lazarati si shenjë dalluese e kultivimit të kësaj bime më dehëse se vetë ideologjia komuniste. Dhe fare pak më vonë i gjithë vendi u mbulua nga kanabisi, për t’u bërë shenjë dalluese e Evropës, përkatësisht Kolumbia e saj.

Tani kur kemi ardhur në këtë vitin e mbrapshtë 2019, të përsëritur edhe më parë në variante të ndryshme, mund të themi se ish komunistët kanë shënuar fitoren më të madhe ndaj antikomunistëve dhe kanë ndërtuar një shtet autoritar të identifikueshëm me atë të diktaturës. Filozofi i madh francez, Sartër, antikomunistët i kishte cilësuar si qenë, dhe si të tillë duhej të identifikoheshin me lehjen, siç po bëjnë në këtë rast këta të opozitës së fragmentarizuar. Në anën tjetër, mbeturinat komuniste të mazhorancës, po dëshmohen gjithnjë e më shumë si hiena të organizuara mirë, madje deri në atë shkallë sa as luajt të mos mund t’i mposhtin dhe madje të ikin nga to.

Tani cila mund të jetë e nesërmja e tokës së shqipeve, kjo është çështja. E nesërmja e frikshme duket vërtet, sepse ndërsa shtetet tjera kanë mafi, mafia në Shqipëri ka shtetin e saj. Zor është të zhbëhet shteti i mafisë, sepse për t’u zhbërë ky model shteti, së pari duhet të ndërtohet dhe ngrihet vetëdija për interesin publik, gjë kjo e cila kërkon shumë kohë, ndërsa ende funksionon logjika e shtetit parti, mbi të cilën edhe po ngrihet logjika autoritare e Ramës, e këtij snobisti tipik të përmasave të frikshme.

Që me idenë për djegien e mandateve të deputetëve, pata shkruar një status në FB se ishte një nismë e mirë për hapjen e një shtegu demokratik. Kjo për faktin se jo vetëm që opozita ishte krejt irelevante në parlamentin shqiptar, porse lufta e Ramës për ta zhbërë atë me themel ishte gjithnjë e më agresive. Në rrethana të tilla, kur dihet se shoqëria civile nuk ekziston e organizuar në këtë vend, nuk ka pasur shteg tjetër më domethënës. Tani sigurisht që të gjithë e kanë të qartë se me zgjedhjet e 30 qershorit Rama shënoi një si fitore të Pirros. Me këtë fitore Rama jo vetëm që dogji ëndrrën evropiane të shqiptarëve, por edhe ndërtoi imazhin më të keq për vendin që nga kalimi prej një sistemi partiak në atë pluralist.

Sigurisht që mbështetja që mori Rama nga faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për zgjedhjet e tij prej cirku, janë meritë e antikomunistëve të Bashës, të cilët kanë dëshmuar se e gjithë përpjekja e tyre ka kuptimin e një lufte të pa kompromis për pushtet e jo për shtet. E NATO-s në këtë rast i intereson shteti më shumë. Në këtë kuptim, mendoj se më e lehtë është që të ikën Basha e të reformohet PD-ja, duke u hapur ndaj grupeve dhe individëve që shënojnë vlera të identifikueshme në shoqërinë shqiptare, sesa të vazhdohet kështu pa shpresë se në kutitë e votimit mund të ndodhë ndryshimi. Edhe njëherë u pa se Basha nuk është konsistent në veprimet e tij. Edhe kësaj radhe lëshoi udhë; nga protestat me një ritëm të shkallëzuar agresiviteti kaloi në performanca artistike, siç ndodhi ditën e zgjedhjeve.   Kjo do të ishte edhe në favor të klimës së krijuar, përkatësisht refuzimit politik që i bënë shqiptarët pushtetit të Ramës. Për më tepër në këtë kontekst duhet shikuar edhe lëvizjen e madhe të studentëve, të cilët dëshmuan se janë të gatshëm të vihen kundër kapjes së shtetit nga Rama me grupin e tij të oligarkëve, por që opozitën aktuale nuk e shohin si alternativë të duhur. Vërtet opozitës u duhen njerëz që janë të vëmendshëm për ngritjen e peshës së fjalës e jo për ngritjen e peshës së zërit. Ndryshe dihet se gjuha është shtëpia ku banon qenia, ndaj ajo nuk duhet të ngjajë në kolibe a në shpellë. Opozitës i duhen liderë që nuk grinden, por që krijojnë alternativa të qarta për dalje nga kjo krizë. Në anën tjetër, tërheqja e Bashës do të ishte goditje e rëndë për Ramën, sepse jo vetëm që Basha do të jepte një shembull të mirë, i cili do të ndikonte që PD-së t’i ktheheshin votat e humbura, por t’i shtoheshin edhe shumë të tjera. Natyrisht që kjo gjë duket si paradoksale, ngaqë në vend se të tërhiqet lideri i shumicës, si fajtori kryesor që katandisi vendin në këtë derexhe, të tërhiqet lideri i opozitës, por ama kërkesa e Bashës për largimin e Ramës që nga fillimi nuk përkonte me esencën e demokracisë, e cila mbështetet në vullnetin e shprehur nëpërmjet votës së lirë. Shqiptarët kanë  nevojë që ta përmbysin Ramën, bashkë me regjimin e tij, nëpërmjet votës e jo nëpërmjet kushtëzimeve.

Në kontekst të kësaj dua të kujtoj një pandehmë shumë shqetësues edhe sot e kësaj dite, të një burri nga atje. Ishte kjo pak para zgjedhjeve të vitit 2013. Tipi tekstualisht më tha: “Nëse i fiton zgjedhjet PS-ja, përkatësisht Edi Rama, PD-ja mund të kthehet në pushtet vetëm kur të bashkohet Kosova me Shqipërinë”. E frikshme kjo pandehmë, të cilës, për fatin tonë të keq të të gjithë shqiptarëve, koha po i jep të drejtë. “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”, thoshte Konica dikur, për të qenë kaq aktual edhe sot. ©lapsi.al



1 Comment

  1. Shkrim i mire. Te shpresojme qe shqiptaret do risin nivelin e inteligjences dhe vetedijen e tyre nacionale e njerzore. Sa per antikomunizmin e PD dhe te Edit askush nuk i mer seriozisht demagogjine e tyre, thjesht atyre i ka mbetur refleksi i lehjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *